Rama shprehet i shqetësuar për situaten në veri të Kosovës
Rama shprehet i shqetësuar për situaten në veri të Kosovës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Brukseli është i zhgënjyer me Shqipërinë, e cila kërkon një deklaratë të re nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, por sërish nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj. Ai shtoi se Shqipëria do të jetë gati të vihet në një linjë me një deklaratë të re të Bashkimit Evropian që duhet të përfshijë dënimin për veprimet dhe mosveprimet e Serbisë. Rama tha se doli para mediave për të shprehur shqetësimin serioz si asnjëherë më parë në 10 vjet për rrezikshmërinë e lartë në veriun e Kosovës.
“Zëdhënësi i BE-së tha dje se nuk do të ketë deklaratë tjetër pa u zbardhur hetimet se si ndodhi ngjarja në Banjskë. Edhe mund të ishim dakord nëse Serbia do të distancohej nga grupi kriminal e do të ishte deklaruar menjëherë hapjen e një hetimi serioz e të pavarur. Por, në vend të kësaj, Serbia zgjodhi nderimin për të vrarët”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Rama tha se ka rezervat e tij për liderët kosovarë dhe qëndrimin e tyre sa i takon procesit të dialogut, por në këtë rast, Shqipëria është në krah të Kosovës. Kryeministri shqiptar theksoi se formati i deritanishëm i dialogut nuk po jep rezultate dhe duhet të ndryshojë menjëherë.
“Formati i dialogut duhet ngritur në një nivel konference, ndërsa përfaqësimi i BE-së dhe i komunitetit euroatlantik, duhet ngritur në nivelin më të lartë, me Francën dhe Gjermaninë në nivelin e presidentit dhe kancelarit. Formati i derisotëm, ku takohen dy burra, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re”, deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Rama tha se nëse kjo nuk ndodh, stokut të marrëveshjeve mund t’i shtohet edhe një sërë viktimash. Rama tha se një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të jetë sipas Kushtetutës së Kosovës. /Alsat.mk








