Raporti/ “Vajc të vërtetojë pretendimet”
Raporti/ “Vajc të vërtetojë pretendimet”
Gazetare: Fatlume Dervishi
Vijnë reagimet e para nga Sofja pas deklaratave të eurodeputetit Tomas Vajc, raportues për Maqedoninë, për kërcënime dhe shqetësime ndaj tij, gjatë dhe pas punës me raportin për Maqedoninë. Spas Tashev nga Instituti për demografi dhe studime humane në Akademinë Bullgare të Shkencave kërkon që Vajc të vërtetojë pretendimet e tij.
“Mendoj se është koha të dërgojmë një raport në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian në lidhje me sjelljen e Tomas Vajc. Vajc duhet ose të vërtetojë pretendimet e tij ose të shpallet shpifës dhe përfaqësues serb”, tha Spas Tashev, Akademik.
Vajc, në intervistë për Kanal 5 deklaroi se ishte i vetëdijshëm që puna rreth raportit për Maqedoninë të cilën eurodeputetët bullgar kishin dëshiruar ta bllokonin dhe të mos votohej, do të ishte një rrugë e vështirë. Vajc shtoi se nuk është e zakonshme që identiteti të shkruhet në raport por gjithashtu nuk është e zakonshme që të kontestohet identiteti i vendeve kandidate. Raportuesi për Maqedoninë tha se ishte përballur me shqetësime dhe kërcënime.
“Po, kishte një fushatë të tërë të ndyrë kundër meje duke më akuzuar se jam i korruptuar, duke shpërndarë numrin tim të telefonit në grupe të djathta ekstreme në telegram, kam marrë kërcënime me vdekje, kam marrë të gjitha llojet e kërcënimeve dhe kjo po ashtu vazhdon edhe pas votimit. Për fat të keq, kjo totalisht eskaloi në Bullgari pore dhe në sferën publike. Po, gjithashtu europdeputetët bullgar u përpoqën të më heqin si raportues për Maqedoninë, por gjithashtu u përpoqën të largojnë negociuesit nga grupi i tyre”, u shpreh Tomas Vajc, eurodeputet, raportues për Maqedoninë.
Ditë më parë, Parlamenti Evropian, me shumicë votash fshiu nga raporti për Maqedoninë termat gjuhë dhe identitet maqedonas. Eurodeputetët bullgarë, pasi kishin kërkuar por kishin dështuar që në raport të qëndrojë identitet dhe gjuhë moderne maqedonase, kishin deklaruar se identiteti nuk e ka vendin në raportin e progresit. / Alsat.mk








