Rasti Alsat, reagim i partisë në pushtet: Të ndalet presioni ndaj televizionit

Rasti Alsat, reagim i partisë në pushtet: Të ndalet presioni ndaj televizionit

Gazetar: Adrian Kerimi

Pas aktualizimit të kontestit pronësor ndaj Televizionit Alsat dhe vendimit gjyqësorë për ta vendosur në shitje publike një pjesë të pronës së televizionit, partitë në pushtet kanë shpalosur qëndrimet e tyre. Alternativa e Afrim Gashit i bën thirrje Qeverisë dhe partnerëve të koalicionit të ndalojnë presionin ndaj Alsatit dhe njëkohësisht të ndërmerr hapa urgjent kundër rrëzimit të besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit. Në qëndrimin e Alternativës theksohet mos justifikimi që për faj të një lëshimi institucional të ushtrohet presion ndaj një media të pavarur dhe të vetme e nivelit kombëtarë në gjuhën shqipe.

“AlternAtivA mendon se në këtë mënyrë po ushtrohet presion ndaj medias, në këtë rast ndaj televizionit nacional – të themeluar nga një kompani shqiptare – që për vite shërben si model për ndërtimin e shoqërisë multientike në vendin tonë. Nuk është e justifikueshme që për gabimet që i bëjnë institucionet faturën ta paguajnë mediat ose qytetarët. Për këtë arsye, AlternAtivA do të angazhohet në institucionet e pushtetit që të ndalet ky presion ndaj TV “Alsat-M”, ndërsa me këtë rast i bën thirrje pushtetit që mos të lejojë që dëme të këtilla ta rrënojnë besimin ndaj institucioneve”, thonë nga Alternativa.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela tha se pushteti po shantazhon Televizionin Alsat, duke dashur që në këtë mënyrë ta kthen vendin në totalitarizëm dhe terr mediatik. Sela tha se të gjitha institucionet, subjektet politike dhe qytetarët duhet urgjentisht të ndërmarrin hapa dhe të ndalojnë presionin dhe shantazhin e pushtetit ndaj Alsatit.

“Gjithçka që ndodhë me televizionin në fjalë është tendencë për ta goditur lirinë fjalës që ne bashkërisht me ju si media dhe gjithë ata për të cilët vlen liria e fjalës dhe liria e cila ka kuptim bashkë me qytetarët, do të duhet që të ta ndërpresim këtë turp të cilin po e bën pushteti. Nëse kthehemi jo shumë larg opinioni është i vetëdijshëm dhe i ka dëgjuar në përgjime deklaratat e turpshme dhe telefonatën e turpshme të një lideri partie, z. Ali Ahmeti të padenjë për një figurë publike të flasë në atë formë, drejtuar pronarit të televizionit. Ky është shantazh, ky është kërcënim i fjalës së lirë dhe lirisë së qytetarëve dhe neve kemi një apel, të dalin këtë formë të veprimit sepse është mese e qartë se ata mundohen të ushtrojnë totalitarizmin në të gjithë formën e mundshme. Kjo nuk i shkon për shtat një vendi i cili pretendon për anëtarësim në BE”, u shpreh Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Për rastin konkret janë njoftuar edhe përfaqësitë e huaja diplomatike, derisa institucionet vendase heshtin, përkatësisht Ministria e Financave nga ku është dhënë pëlqimi për përmbarim dhe shitje publike të pronës. Kujtojmë që një pjesë e pronës së Televizionit Alsat u gjet në kontest gjyqësorë falë një hipoteke e cila daton nga vitit 1993, por që nuk ishte evidentuar në asnjë listë pronësore nga viti 2006 kur ishte blerë prona deri në vitin 2013. Në vitin 2016 Alsat kishte fituar procesin gjyqësorë, ndërsa Gjykata Civile një vendim në favor të Alsatit solli edhe në mars të këtij viti. Një muaj më vonë, më 28 prill Gjykata e Apelit hodhi poshtë masën e përkohshme duke i mundësuar përmbaruesit dhe Ministrisë së Financave të vendos në shitje publike pronën e Alsat nga data 1 mars. Për këtë vendim, kompania e cila menaxhon me televizionin Alsat, “VeVe Grup” vlerëson se është sjell si pasojë e presionit politik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button