Reagime të shumta ndaj vendimit të gjykatësit Ferati për Pajazitin i cili kishte goditur për vdekje 22 vjeçaren
Reagime të shumta ndaj vendimit të gjykatësit Ferati për Pajazitin i cili kishte goditur për vdekje 22 vjeçaren

Gazetar: Mihajllo Donev
Kryeministri Mickoski i zhgënjyer me aktgjykimin në Tetovë, që ka të bëjë me goditjen për vdekje me veturë të 22 vjeçares Teodora Ristevska, për çka gjykatësi Elvedin Ferati shqiptoi dënim dy vjet burg për Mensur Pajazitin. Sipas Mickoskit, ky aktgjykim nuk është i drejtë dhe i bëri thirrje Këshillit gjyqësor që të reagojë.
“Kërkoj publikisht që Këshilli gjyqësor të shqyrtojë punën e këtij gjykatësi dhe ta analizojë edhe një herë këtë aktgjykim. Kjo nuk është luftë partiake, kjo është betejë për të vërtetën, për përgjegjësinë, për drejtësinë. Sepse kjo është luftë midis njerëzve dhe jo-njerëzve dhe njerëzit duhet të fitojnë, vetëm atëherë ne mund të fitojmë së bashku. Nëse ky sistem nuk rivendoset tani, nëse nuk merren masa tani, atëherë gjithçka është kot”, tha Hristijan Mickoski- kryeministër.
Ministri i drejtësisë thotë se nuk mund të komentojë vendimin, por reagimet janë shenjë e qartë për të se Këshilli gjyqësor duhet të reagojë.
“Reagimi i opinionit është ai zë i popullit që është shumë i rëndësishëm dhe që duhet të arrijë te secili prej nesh, përfshirë edhe këshillin që është thirrur të reagojë. Ato 2 % besim që i janë dhënë gjyqësorit kanë dëshmuar edhe një herë se nuk janë të kota”, u shpreh Igor Filkov – ministër i Drejtësisë.
Këshilli gjyqësor ende nuk është përgjigjur në pyetjen tonë nëse do të hapin procedurë ndaj gjykatësit Elvedin Ferati. Pikërisht kundër Feratit Prokuroria Publike Themelore e Shkupit e mbylli hetimin muajin e kaluar pasi Inspektorati shtetëror konstatoi se ai kishte korrigjuar notat në Universitetin e Tetovës për të pasur mesatare më të lartë.
Mirëpo, përkundër konstatimeve të Inspektoratit, muajin e kaluar prokurori publik i rastit ka konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet që Ferati të ndiqet. Nga Prokuroria e Tetovës thonë se do të ankohen për rastin e Teodorës, por pasi të marrin sqarimin me shkrim të aktgjykimit. / Alsat.mk