Reagimet e ashpra të SHBA-së për korrupsionin, kanë heshtur Ministrinë e Drejtësisë

Reagimet e ashpra të SHBA-së për korrupsionin, kanë heshtur Ministrinë e Drejtësisë

Gazetar: Ardit Ramadani

Njeriu i parë i Drejtësisë në vend, Nikola Tupançevski nuk përgjigjet në pyetjet e Alsat në qoftë se hetimi i personave të dyshuar për korrupsion nga ana e një ekipi nga Uashingtoni do të thotë që sistemi i drejtësisë në vend ka dështuar dhe se a ndjen përgjegjësi për këtë.

“Ministria e Drejtësisë nuk i komenton deklaratat e ambasadores së ShBA-ve në Maqedoninë e Veriut” , thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Por Ageler vazhdon të komentojë. Ajo shtoi se korrupsioni ka sjellë një katastrofë reale në vend që po largon të rinjtë çdo ditë e më shumë. Ambasadorja amerikane Angela Ageler tha se nga vizita që ka bërë në rajone të ndryshme të vendit ka parë se si qytetarët e vendit po përballen me korrupsion kur shkojnë në mjek, kur regjistrojnë fëmijën në shkollë si dhe kur kërkojnë punë.

“Njerëzit këtu flasin për korrupsionin çdoherë kur duhet ta shkojnë në mjek, secilën herë që kërkojnë punë, secilën herë që fëmija i tyre aplikon për ndonjë shkollë dhe realisht korrupsioni ka sjellë një katastrofë reale për këtë shtet dhe shumë të rinj nuk dëshirojnë të qëndrojnë 5:26 shumë të rinj maqedonas, nga të gjitha komunitetet, kërkojnë për mundësinë e parë që u vjen që të vazhdojnë punën, apo jetën në një shtet tjetër”, deklaroi Angela Ageler, ambasadore e ShBA-ve për Sitel.

Ageler tha se përkundër shpenzimit të miliona dollarëve të taksapaguesve amerikan për investime në gjyqësorin e Maqedonisë së Veriut, rezultatet thuajse janë të padukshme, duke përmendur edhe procesin e përzgjedhjes së Islam Abazit në krye të Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Nga ana tjetër ministri i Jashtëm, Bujar Osmani u shpreh i lumtur për ardhjen e ekipit që do hetojë korrupsionin dhe se ka pasur momente kur është frikësuar se amerikanët nuk do të vijnë për të na monitoruar.

“Menjëherë pasi filluam dialogun strategji me ShBA-në në qershor, SHBA fillimisht financiarisht ndihmonte, shtuan 4 milion euro vetëm për sundimin e së drejtës, dhe ja tani vazhdojnë me mekanizma shtesë përmes mbështetjs nga ana e ekspertëve, duke shfrytëzuar mekanizmat e tyre, sanksionimin, publikimin e emrave e kështu me radhë. Dhe këto janë pjesë e asaj që ne kërkuam, kur kishim dilema se a do të fillojnë negociatat apo jo, unë frikësohesha se do të ngelim pa monitoring të tillë”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Alsat mëson jozyrtarisht se ditëve në vijim pritet që listës së zezë amerikane t’i shtohen emra të rinj të politikanëve të përfshirë në afera korruptive. Gjendja në gjyqësore dhe prania e lartë e korrupsionit është kritikuar edhe nga ambasadori evropian Devid Geer dhe ambasadorja gjermane, Anke Holstein. Hulumtimet tregojnë që vetëm 8 për qind e qytetarëve i besojnë gjyqësorit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button