Reagon komuniteti hebre në Maqedoni për qendrën kulturore “Vanço Mihajlovi”
Reagon komuniteti hebre në Maqedoni për qendrën kulturore “Vanço Mihajlovi”
Gazetar: Lluka Andreev
Nuk ndalojnë reagimet pas hapjes së Klubit kulturor bullgar me emrin e Vanço Mihajllovit.
Komuniteti hebre në Maqedoni theksoi se klubi ka marrë emrin e bashkëpunëtorit të Hitlerit dhe sipas tyre, ky akt nuk është në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, shkruan Alsat.
“Të fillojë procedurë për qëndrueshmërinë ligjore të qendrave kulturore dhe qendrave të tjera, shoqatave civile etj, të mbajnë emrat e fashistëve të dëshmuar dhe bashkëpunëtorëve të dëshmuar të nazistëve”, thonë nga Komuniteti hebre në Maqedoni.
Historiani Dragi Gjorgiev e konsideron hapjen e klubit si provokim arrogant. Në një prononcim për “Deutsche Ëelle” ai ka theksuar se pret që një lëvizje e tillë të ndikojë në dialogun me Sofjen.
“Fatkeqësisht, ky akt minon dhe vë në pikëpyetje të gjitha përpjekjet e tjera për të gjetur zgjidhje për keqkuptimet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Në këtë mënyrë, zërat e paktë dhe të arsyes nga të dyja palët po mbyten dhe shpresat e fundit për dialog të denjë po shuhen”, thotë Dragi Gjorgiev – Bashkëkryetar i Komisionit të Përbashkët Historik.
Ka reaguar edhe opozita. VMRO-DPMNE e vlerësoi si një lëvizje që paralajmëron bllokadë të re ndërsa Aleanca për Shqiptarët i bën apel Petkovit që menjëherë ta heqë bllokadën dhe në ndërkohë të bëjë një kompromis për çështjet e hapura.
“Nuk e di kush është ai politikan apo historian që do të ulet në tryezë me kolegët e tij nga fqinji ynë lindor dhe do të vazhdojë të negociojë një marrëveshje të paktën deri në qershor. Nëse ky është justifikim që ata të bllokojnë sërish Maqedoninë, atëherë ata janë mjaft të suksesshëm”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
“Veprime të tilla nuk kontribuojnë në daljen më të shpejtë dhe heqjen e bllokadës nga ana e Bullgarisë për fillimin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Zijadin Sela – Kryetar i ASH-së.
Më herët kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se bëhet fjalë për personazh historik kundërthënës, duke shtuar se publiku mezi pret ditën kur në Bullgari do të vijë koha kur qytetarët maqedonas do të mund t’i praktikojnë bindjet e tyre në të njëjtën mënyrë. Presidenti Stevo Pendarovski gjithashtu theksoi se hapja e klubit kulturor “Vanço Mihajllov” nuk do të kontribuojë në afrimin e popujve./ Alsat.mk








