“Referendumi”, VMRO-ja kritikon vendimin e Xhaferit

“Referendumi”, VMRO-ja kritikon vendimin e Xhaferit

Gazetare: Fatlume Dervishi

VMRO-DPMNE-ja vlerëson se kreu i Kuvendit shpiku arsye të paqena për ta refuzuar nismën e tyre për referendum. Sipas partisë opozitare, kreu i Kuvendit mbrojti pushtetin nga vlerësimi i opinionit i cili do të kishte votuar për shfuqizimin e Marrëveshjes me Bullgarinë. Kjo parti i referohet nenit 24 të ligjit për referendum dhe thonë se referendum mund të ketë për marrëveshje ndërkombëtare që janë kompetencë e Kuvendit ose për çështje të tjera për të cilat ka vendosur Kuvendi.

“Talat Xhaferi, në vend të mbrojtjes së Kushtetutës, me këtë vendim, u bë kampion në shkeljen e saj. Në këtë moment shohim se Talat Xhaferi është gjykatës kushtetues. Talat Xhaferi është Gjykatë Kushtetuese. Vlerësimi ynë është që çfarëdo iniciative që të dorëzojë VMRO-DPMNE-ja ose cilido qytetarë, ata do të gjejnë ndonjë pengesë, ose arsye, pikë a presje që ta pengojnë atë. Por organet e partisë do të mblidhen dhe do të bisedojmë për dilemat juridike dhe hapat e ardhshëm”, tha Vllado Misajllovski, VMRO-DPMNE.

Por, në refuzimin e tij, kreu i Kuvendit bazohet në nenin 118 të Kushtetutës ku thuhet se Marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar në përputhje me Kushtetutën janë pjesë e rendit juridik dhe nuk mund të ndryshohen me ligj. Shumica thotë se Xhaferi mbrojti Kushtetutën.

“Kryetari i Kuvendit jep betim për respektimin e Kushtetutës, për zbatimin dhe mbrojtjen e saj. Prandaj kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, duke e mbrojtur Kushtetutën dhe duke shfrytëzuar kompetencat që ja jep ajo, e refuzoi nismën për organizimin e referendumit si jokushtetuese. Kjo ishte edhe e pritshme”, u shpreh Martin Kostovski, LSDM.

“Nuk ka asgjë kontestuese në qoftë se vlerësohet kushtetutshmëria e aktit të sjellë nga z. Talat Xhaferi. Mirëpo sa për t’ua rikujtuar, shpesh herë vendimet e Talat Xhaferit nuk kanë qenë të pëlqyeshme nga partitë politike mirëpo koha ka dëshmuar se ai është respektuesi më i madh i Kushtetutës. Të gjitha betejat për kushtetutshmërinë e vendimeve të tij, ai i ka fituar në rrugë institucionale para Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Arbër Ademi, BDI.

Opozita shqiptare nuk ka lëvizur nga vlerësimi se nuk ka kthim pas në rrugën eurointegruese.

“Ne qartë jemi deklaruar se jemi pro rrugës evropiane, përkrahëm propozimin francez dhe nuk ka kurrfarë ekuivoku në këtë drejtim”, u shpreh Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

Me vendimin e Xhaferit, nisma për organizimin e referendumit praktikisht është hedhur poshtë dhe nuk ndjek asnjë hap tjetër. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button