Përplasja Arsovska – VMRO, asnjë fjalë nga Banka Evropiane për Investime

Përplasja Arsovska – VMRO, asnjë fjalë nga Banka Evropiane për Investime

Gazetar: Mefail Ismaili

Banka Evropiane për Investime ende nuk ka dhënë qëndrim zyrtar për vazhdimin e tenderit për ndërtimin e Stacionit për pastrimin e ujërave të zeza në lumin Vardar, për të cilin tender, u përplasën kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska dhe drejtori i Ujësjellësit Zllatko Perinski, shkruan Alsat.

Kryetarja e Qytetit  vazhdon tu shmanget mediave dhe të mos jap sqarim, ndërsa drejtori Perinski thotë se është e pamundur që pas përfundimit të fazës së parë të tenderit, të ndryshohen anëtarët e komisionit për evaluim, të propozuar nga Qyteti i Shkupit.

Ai thotë se tentimet e Arsovskës për të ndryshuar anëtarët e komisionit vlerësues rrezikojnë tenderin dhe ndërtimin e Stacionit.

“Rrezikojmë së tepërmi, për shkak se njerëzit që i plasuan këto të pavërteta, madje edhe nga Qyteti i Shkupit, nuk kanë njohuri elementare si zbatohet kjo procedurë. Ligji për furnizime publike në këtë rast nuk vlen, për shkak se ne kemi linja evropiane të kredive dhe kur keni linja kreditore evropiane keni bankë liderë e cila e zbaton tenderin sipas rregullave të saja”, tha Zllatko Perinski, ish drejtor i Ujësjellësit – Shkup.

Ndërtimi i Stacionit pastrues të ujërave të zeza, është investimi më i madh i BE-së në vendin tonë. Ky projekt kushton gjithsej 136 milion euro dhe financohet nga Banka Evropiane për investime,  Banka Evropiane për zhvillim dhe ripërtëritje, si dhe nga Komisioni Evropian përmes Kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor.

Sipas analizave të institucioneve shtetërore si dhe sektorit joqeveritar, uji i Lumit Vardarit për momentin është i ndotur i kategorisë së pestë dhe është i papërdorshëm madje edhe për ujitje në bujqësi. Andaj ndërtimi i Stacionit filtrues është i domosdoshëm.

Nga Qendra e shëndetit publik, thonë se është i domosdoshëm përmirësimi i ujërave në lumenjtë e vendit.

“Është e domosdoshme të përmirësohet kualiteti i ujërave sipërfaqësor të lumenjve, sidomos për shkak të shfrytëzimit atyre ujërave për ujitje dhe hyrja e materieve të rrezikshme nëpër ushqime si dhe tek njerëzit”, theksoi Besim Zeqiri, drejtori – Qendra për shëndet publik.

Parakusht për ndërtimin e Stacionit pastrues në Shkup është edhe ndërtimi i Sistemit të kolektorit, tuba të mëdhenj që do e mbledhin të gjithë kanalizimin dhe do e dërgojnë në Stacionin e ri për pastrim. Por edhe kjo pjesë e projektit po vonohet për më shumë se dy vite.

Në bregun e djathtë të Lumin Vardar, më konkretisht në vendbanimin Trubarevë në Komunën e Gazi Babës, parashikohet që të ndërtohet Stacion për pastrimin e ujërave të zeza.

Ky stacion parashikohet të ndërtohet në hapësirë prej 13 mijë hektarë dhe duhet të jetë me kapacitet për 500 mijë banorë.

Me ndërtimin e këtij Stacioni për pastrimin e ujërave të zeza, Lumi Vardar duhet të ketë ujë 90% më të pastër, përmirësimin e kushteve në mjedisin jetësor si dhe të ndikojë në ndryshimet klimatike të kryeqytetit, kushte që janë edhe pjesë e kritereve për hapjen e negociatave me BE-në./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button