Reforma në Arsimin e Lartë: Kritika për kontroll politik dhe vlerësime për përmirësime

Gazetare: Melihate Rustemi

Proces jo transparent dhe hartim i ligjit nga “ekspertë të panjohur”. Këto janë kritikat e Blendi Hodait nga Forumi për Ndryshime në Arsim. Sipas tij versioni final i ligjit konfirmon se konsultimet publike ishin vetëm kozmetike. Në intervistëm në Alsat, Hodai tha se ligji i ri po legalizon nepotizmin duke hequr nenet parandaluese, ndërsa po pamundëson njohjen ligjore të Trupit Nacional Studentor për të mbajtur studentët të heshtur. Shqetësim mbetet edhe kontrolli i cilësisë, që sipas tij, do të bjerë në duart e bordeve të emëruara direkt nga Qeveria, duke cenuar autonominë universitare.

“Sot e kësaj dite ne e dimë që ka një grup ekspertësh, ekspert të panjohur për opinionin publik, nuk janë publikuar emrat, janë mbledhur në një zyrë dhe kanë shkruar një ligj duke vendosur standarde që vet ata nuk i plotësojnë ato standarde dhe kanë thënë që këto standarde nuk do të vlejnë për ne që jemi profesor ordinarë. Këtu është problemi fillestar që kemi me ligjin, I gjithë procesi që kur ka nisur ka qenë jo transparent. Ndërkaq ende më problematik është ligji për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë që në një farë forme po shndërrohet në një farë lloji instrument kontrolli politik të universiteteve”, tha Blendi Hodai nga Forumi për Ndryshime në Arsim.

Nga ana tjetër, profesori Bujamin Bela nga Universiteti “Nënë Tereza” vlerëson se ndryshimet e bëra janë rezultat i presionit dhe kërkesave të komunitetit akademik, duke e cilësuar marrëveshjen e arritur si një hap drejt një reforme më të drejtë. Sipas tij, janë shmangur disa nga elementet më problematike të draftit fillestar, si reduktimi i autonomisë dhe kriteret e diskutueshme të cilësisë. Ai thekson se heqja e H-indeksit si kriter bazë, rritja e përfaqësimit në organet vendimmarrëse dhe sigurimi i një financimi më transparent janë zhvillime pozitive. Bela shton se reforma duhet të mbështetet në drejtësi, gjithë përfshirje dhe autonomi akademike, duke garantuar një sistem më të balancuar dhe më të qëndrueshëm për arsimin e lartë./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button