Trump e zgjat armëpushimin, por nuk e heq bllokadën ndaj porteve iraniane
Gazetare: Ajnur Bafqari
Ndërsa tensionet rriten në Ngushticën e Hormuzit, me anijet që sulmohen dhe dyshohet se sekuestrohen nga Irani, Pakistani po lufton për të mbajtur gjallë shpresat për negociata. Dje, një raund i dytë i mundshëm bisedimesh të drejtpërdrejta midis SHBA-së dhe Iranit dështoi. Më pas, Donald Trump njoftoi se do ta “zgjatte” armëpushimin derisa Teherani të dilte me një “propozim të unifikuar”, por shtoi se bllokada e porteve iraniane, e cila e ka zemëruar Teheranin, do të mbetet në fuqi.
“Bazuar në faktin se Qeveria e Iranit është seriozisht e përçarë, gjë që nuk është e papritur, dhe me kërkesë të marshallit Asim Munir dhe kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, na është kërkuar ta pezullojmë sulmin tonë ndaj Iranit deri në momentin kur udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre të mund të dalin me një propozim të unifikuar”, ka shkruar Trump, në Truthsocial.
Trump nuk dha ndonjë afat të saktë kohor, ndërsa nuk është ende e qartë nëse Teherani do ta zgjasë armëpushimin nga ana e vet.
Një këshilltar i kryetarit të Parlamentit të Iranit e quajti zgjatjen e armëpushimit “manovër për të fituar kohë për një sulm të befasishëm” dhe theksoi se Teherani duhet ta marrë iniciativën, pa dhënë hollësi. Zëdhënësi shtoi gjithashtu se bllokada e tanishme amerikane e porteve iraniane është e njëjtë me bombardim dhe përgjigja ndaj saj duhet të jetë ushtarake.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë më vonë njoftoi se nënpresidenti, JD Vance, nuk do të udhëtonte për në Islamabad të martën, për një rund të dytë negociatash të ndërmjetësuara nga Pakistani. Ai nuk tha nëse po shqyrtohej ndonjë datë e re për udhëtimin e tij.
Teherani ka thënë se nuk do t’i rifillojë bisedimet pa u hequr bllokada, ndërsa SHBA-ja ka deklaruar se nuk do ta heqë atë derisa të nënshkruhet një marrëveshje paqeje./Alsat.mk.








