Kurti: Jo zgjedhje të reja, kostoja e lartë
Gazetare: Ajnur Bafqari
Nëse partitë parlamentare nuk arrijnë pajtueshmëri për zgjedhjen e presidentit, Kosova do të detyrohet të mbajë zgjedhje të “njëpasnjëshme ” parlamentare. Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti, në prag të përfundimit të afatit kushtetues më 28 prill. Kurti theksoi se zgjedhjet e reja, do t’i kushtonin vendit dhjetëra milionë euro.
“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, së paku 10 milionë euro ato kushtojnë për organizimin e tyre nga KQZ-ja. Nëse shkojmë në zgjedhje të reja për shkak se nuk do të funksionojë Kuvendi i Republikës, do t’i humbim dhjetëra milionë euro si shtet. Dhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Prandaj është e domosdoshme që të merremi vesh”, deklaroi kryeministri Kurti.
Edhe ushtruesja e detyrës presidente e Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit Albulena Haxhiu, tha se është e gatshme ta dorëzojë pozitën e Kryetarit të Kuvendit.
“Unë vetë kam ofruar, sepse unë kam dëgjuar së pari se nuk bën një parti politike t’i ketë tre pozitat, ta ketë kryetarin e Kuvendit, ta ketë Kryeministrinë dhe në anën tjetër Presidencën. Prandaj kam thënë se një nga pozitat e larta është pozita e Kryetarit të Kuvendit, le ta marrin, por nuk po dëshirojnë”, theksoi Haxhiu.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet. Më 28 prill skadon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. Deklaratat e sotme vijnë dy ditë pasi dështuan bisedimet mes Kurtit dhe liderëve të dy partive kryesore opozitare, Bedri Hamzës së PDK-së e cila ka 22 ulëse, dhe Lumir Abdixhikut të LDK-së që mban 15 ulëse./Alsat.mk.








