Refugjatët afganë të bllokuar në Kosovë

Refugjatët afganë të bllokuar në Kosovë

Të evakuuarit nga Afganistani, të cilët sipas të dhënave amerikane janë sistemuar vetëm përkohësisht në Kosovë, ndodhen atje edhe pas një viti.

Dy javë pasi talibanët rimorën Kabulin në gusht të 2021, diplomatët dhe ushtarët amerikanë në Kosovë pritën afganët, që u larguan nga vendi i tyre sepse kishin punuar me Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë aleate. Ata u pritën me krahë të hapura në strehimoret e ngritura. Shtëpia e tyre do të ishte përkohësisht kampi Liya, i ngritur pranë bazës ushtarake amerikane Bondsteel në Kosovë, ndërkohë që Uashingtoni do të angazhohej për migrimin e tyre në në Shtetet e Bashkuara ose në një vend të tretë.

Dhe John Kirby, zëdhënësi i Pentagonit në atë kohë, deklaroi se marrëveshja e nënshkruar me Kosovën, detyron SHBA që “brenda 365 ditëve të zhvendosë në SHBA ose në shtete të tjera” afganët e strehuar atje.

Kampi Liya është ende i hapur

Plani për të shpërbërë brenda një viti kampin Liya, nuk është zbatuar. Megjithëse disa qindra afganë vazhduan shpejt udhëtimin e mëtejshëm, sepse morën viza amerikane ose oferta të tjera, për të jetuar në një vend tjetër, shumë të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë ende në kampin Liya. Kërkesat e tyre ose janë refuzuar nga autoritetet amerikane ose për ta nuk është marrë asnjë vendim.

“Ata na thanë se do të qëndrojmë këtu vetëm disa muaj, por tani është bërë gati një vit. Mbas tetë muajsh na thanë: ‘Ti nuk ke të drejtë të shkosh në Amerikë. Ne pyetëm për arsyen, por nuk na thanë asgjë’”.

Refugjatëve iu tha në fillim se do të qëndronin këtu si miq, por ky burrë ndihet sikur të jetë në burg. Njerëzit nuk lejohet të largohen nga kampi, nëse nuk heqin dorë nga e drejta për tu kthyer këtu sërish. Ata nuk lejohet të punojnë për të fituar para për familjen, që në shumë raste është lejuar të largohet bashkë me ta. Ai është i shqetësuar se fëmijët vuajnë urie. Dhe pas pak ai shton se për shkak të mungesës së informacioneve ndihet më keq se në burg.

“Një i burgosur ka të drejtë të shohë dokumentat e veta dhe të pyesë për rastin e tij, pse ndodhet këtu, sa kohë do të qëndrojë ende,” tregon burri.

“Por nëse ne pyesim, nuk marrim asnjë përgjigje kur pyesim pse ndodhemi në këtë kamp dhe sa kohë do të qëndrojmë”.

Në fillim të kësaj vere shqetësimi në kamp filloi të rritej. Shumë njerëz protestuan me parrulla ku shkruhej “Gratë dhe fëmijët vuajnë” dhe “Ne kërkojmë drejtësi”.

Shumica e atyre të cilëve u është refuzuar kërkesa për vizë, nuk kanë avokatë për të sjellë rastin e tyre me prioritet tek qeveria amerikane. Një nga banorët e kampit është ish shefi i shërbimit sekret afgan, Mohammad Arif Sarwari. Ai ishte ndër afganët e parë që u koordinua me forcat e armatosura amerikane, kur u futën në Afganistan mbas 11 shtatorit.

Në atë kohë Julie Sirrs ka qenë analiste lajmesh në ministrinë amerikane të Mbrojtjes, ajo e njohu Sarwarin kur punoi në Afganistan. Kur vitin e kaluar ajo mësoi se jeta e tij ishte në rrezik për shkak të kthimit të talibanëve, Sirrs vendosi, që ta përfaqësonte në përpjekjen për të migruar në Shtetet e Bashkuara. Në këtë mënyrë ajo do që t’ i kthejë mbrapsht ndihmën që ai i ka dhënë për dekada të tëra.

 

“Ai ka mbrojtur jetën time dhe të shumë amerikanëve të tjerë”, thotë Sirrs për DW.

“Ai ka qenë kontakti kryesor i ekipit të CIA-s, që u krijua direkt pas 11 shtatorit. Unë nuk besoj se ka ndonjë njeri tjetër në Afganistan, që të ketë ndihmuar Shtetet e Bashkuara më shumë se zoti Sarwari”./dw/

LEXO EDHE:

Back to top button