Regjistrimi, VMRO-DPMNE-ja me nismë tjetër konkrete

Në fundjavë, VMRO-DPMNE-ja do të konkretizojë veprimin e radhës për të penguar regjistrimin e popullsisë. Grupi parlamentar i kësaj partie do të dorëzojë nismë në Kuvend për të shfuqizuar ligjin për regjistrimin e popullsisë.

“Ne do të fillojmë, do të luftojmë, do t’i shfrytëzojmë të gjithë mjetet demokratike që i kemi në dispozicion. I ftoj të gjitha partitë parlamentare, pa dallim a janë në opozitë ose në pushtet ta mbështesin këtë iniciativë sepse ky regjistrim, kështu siç është, nuk do të japë përgjigje për atë se si duhet të zhvillohet vendi jonë kurse ky është thelbi i këtij operacioni statistikor”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Pak ditë më herët, një nismë tjetër e partisë opozitare për fillimin e mbledhjes së nënshkrimeve nga ana e qytetarëve për shfuqizimin e ligjit në fjalë u hodh poshtë nga Kuvendi për shkak të parregullsive formale.

Partitë në pushtet dhe opozita shqiptare kanë hedhur poshtë mundësinë për shtyrjen e regjistrimit.

Gjithsesi, Enti Shtetëror i Statistikës vijon përgatitjen e regjistrimit sipas ligjit. Për më pak se dy javë, konkretisht më 1 mars do të hapet aplikacioni për regjistrimin e diasporës. Përveç mënyrës elektronike, shtetasit që jetojnë jashtë vendit do të mund të regjistrohen edhe nga një person i afërt që i njeh mirë të dhënat e tyre. Personi që regjistron të tjerët do të duhet të ketë vetë numrin e tyre amë dhe të shkruaj edhe numrin e tij amë, si siguri për vërtetësinë e të dhënave. Ndërkaq më 1 prill do të fillojë regjistrimi derë më derë.

Përveç popullsisë, regjistrimi do të mbledhë të dhëna edhe për amvisëritë dhe banesat.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button