“Regjistrimi”, Zaev: Diasporës nuk i mohohet e drejta e votës

Diasporës nuk do t’i mohohet e drejta e votimit. Kryeministri Zoran Zaev thotë se pavarësisht regjistrimit të popullsisë dhe kategorizimit të qytetarëve se janë ose jo rezident, e drejta e votës askujt nuk do t’i ndalohet.

Diaspora jonë deri tani ka pasur të drejtë e votës me opsione, në përfaqësinë diplomatike ku ndodhet ose në shtëpi. Nëse regjistrohet për të votuar në diasporë, voton atje. Nëse nuk regjistrohet i mbetet e drejta e votës vetëm në shtëpi. Regjistrimi i popullsisë nuk do të ndikojë asgjë në listën zgjedhore – tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Gjatë ditës, presidenti Stevo Pendarovski ka zhvilluar takim me ministrin e Drejtësisë, Bojan Mariçiq dhe drejtorin e Entit të statistikave Apostol Simovski. Në takim është biseduar për gatishmëritë e institucioneve dhe rëndësinë e bashkëpunimit tyre në zbatimin e procesit të regjistrimit. Nga ana e presidentit është kërkuar që në regjistrim të përfshihen të gjitha standardet e kërkuara dhe të garantohet proces demokratik dhe i besueshëm. Ligji për regjistrimin e popullsisë ndodhet në procedurë parlamentare, ndërsa miratimi i tij pritet në gjysmën e parë të muajit janar. Pas miratimit, deri më 1 mars, Enti shtetëror i statistikave duhet të përgatisë metodologjinë e zbatimit të regjistrimit, ndërsa procesi të zhvillohet nga 1 deri 21 prill. Ligji parashikon afat plotësues për regjistrim për personat të cilët gjatë regjistrimin nuk ndodhen në vend ose nuk paraqiten përmes formës elektronike.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button