Reshjet e shiut shkaktuan probleme të shumta

Reshjet e shiut shkaktuan probleme të shumta

Gazetar: Mefail Ismaili

Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar rrjedha të mëdha të ujit si dhe rrëshqitje të mëdha të dheut duke bllokuar disa rrugë.

Rrëshqitje më të mëdha kishte në rrugën Rosoman – Prilep – Manastir në vendin e quajtur Pletvar, ku uji dhe dheu mbuluan rrugën.

Gjatë ditës së sotme u bllokua edhe rruga e Dibrës afër Kosovrastit, për shkak se në njërën korsi u hap përsëri gropa e cila më herët ishte e mbuluar me rërë. Këtë herë  gropa është hapur me përmasa më të mëdha.

Nga Enti Hidrometeorologjik thonë se reshjet lokale të shiut do të vazhdojë deri të hënën.

“Edhe në dy ditët e ardhshme na pret mot i ndryshueshëm me vranësira dhe jo i qëndrueshëm me reshje të cilat në baza lokale do të jenë të rrëmbyeshme të shoqëruara me vetëtima. Në disa vende pritet që reshjet të jenë më intensive në formë të motit të keq me reshje më të dendur të shiut dhe me kushte për breshër”, tha Ivana Petroviq, Enti Hidrometeorologjik.

Edhe përkundër reshje, do të ketë rritje të lehtë të temperaturave.

“Temperaturat pritet të shënojnë rritje të lehtë graduale dhe nesër do të jenë në intervalin nga 22 deri në 28 gradë celsius, ndërsa të hënën nga 24 deri në 31 gradë celsius, që do të thotë se do të kemi edhe më shumë periudha me diell gjatë ditës. Megjithatë në baza lokale sasia e reshjeve mund të arrijë edhe më tepër se një litër në metër katror”, u shpreh Ivana Petroviq, Enti Hidrometeorologjik.

Sipas Enti Hidrometeorologjik, moti në vendin tonë do të fillojë të stabilizohet nga e marta ku do të ketë reshje më të rralla të shiut, kryesisht në pjesët jugore të vendit, ndërsa nga e mërkura pritet stabilizim i plotë i motit me rritje të temperaturave.

Nga mesi i javës së ardhshme temperaturat pritet të jenë nga 26 deri në 33 gradë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button