Rikonstruimi i Qeverisë pas kongresit të VMRO-së, nuk dihet akoma emri i ministrit të ri të ekologjisë

Rikonstruimi i Qeverisë pas kongresit të VMRO-së, nuk dihet akoma emri i ministrit të ri të ekologjisë

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Kryeministri Hristijan Mickoski për momentin nuk planifikon rikonstruim më të thellë të Qeverisë por fillimisht do të mbulohen vetëm dy pozitat që u liruan nga Izet Mexhiti i cili u zgjodh kryetar i Çairit. Për ndryshime të tjera pritet të mësohet pas kongresit partiak të VMRO-DPMNE-së të caktuar për më 6 dhjetor.

“Kjo nuk do të thotë se do të kenë resor më tepër. Ky është vendim i partnerit tonë të koalicionit. Unë kam mendim të lartë për Bekim Sali, këtu nuk duhet të kemi asnjë dilemë. Por kjo nuk do të thotë se do të ketë vend më tepër në kabinetin qeveritar. Unë jam i gatshëm për gjithkënd të bisedoj këtu nuk ka asnjë dilemë në suaza të koalicionit por kuptohet mandatar jam unë kështu që normalisht unë si mandatar do ta kem fjalën e fundit”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Mickoski i quajti spekulime informacionet se është i pa kënaqur nga disa prej ministrave. Jo zyrtarisht thuhet se pritet zëvendësimi i ministrave Goran Minçev në Administratë, Igor Fillkov në Drejtësi por edhe Vesna Janevskës në Arsim.

“Rikonstruimi i Qeverisë nuk bëhet thjeshtë sa për rikonstruim dhe të themi ja e rikonstruam qeverinë. Para se të merret çfarëdo hapi duhet mirë të mendohet nëse zgjidhja e re kadrovike që do të vinte do të jetë më e mirë se ajo paraprake”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Kreu i Alternativës Zeqirija Ibrahimi, një ditë më parë për Alsat tha se fillimisht me kryeministrin do të diskutojnë nëse për momentin do të duhet të mbushin vetëm vendet e zbrazura apo do të bëhet rikonstruim më i thellë i Qeverisë. Ibrahimi tha se VLEN ende nuk e ka gati emrin e ministrit të ambientit jetësor ndërsa zv.kryeministër i parë tanimë disa muaj është vendosur të jetë deputeti Bekim Sali. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button