Rikthehet arsimi i mesëm policor?
Rikthehet arsimi i mesëm policor?
Gazetar: Mihajllo Donev
Qeveria shqyrton informacionin për rikthimin e arsimit të mesëm policor në vend, pasi Ministria e Punëve të Brendshme propozoi reforma në këtë sektor, pra në vend të trajnimit të mëparshëm njëvjeçar, të jetë pjesë e arsimit të mesëm në vitin e tretë dhe të katërt.
Nga MPB sqarojnë për Alsat se arsimi i mesëm i këtij lloji do të funksionojë në kuadër të qendrës aktuale të trajnimit në Idrizovë.
“Çdo kandidat pas përfundimit të vitit të parë dhe të dytë të një shkolle tjetër të mesme mund të aplikojë në konkurs të shpallur dhe nëse plotëson kushtet e përcaktuara, mund të vazhdojë në shkollën e mesme policore. Sipas nevojave të Ministrisë së Brendshme, trajnimi i mëparshëm bazë për punonjës policie do të mund të kryhet paralelisht në kohëzgjatje prej një viti. Aktualisht, në koordinim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, do të punohet për proceset që duhet të zbatohen deri në realizimin përfundimtar të këtij projekti”, thonë nga MPB.
Heqja e arsimit të mesëm policor në vend ka sjellë një shkallë të lartë partizimi dhe me këtë tani kemi një numër të madh policësh me dosje penale dhe persona për të cilët nuk e dimë se si e kanë marrë arsimin e mesëm, vlerëson Lubomir Gjurçevski.
“Unë pohoj se partizimi në fillim do të ulet së paku 50 për qind, sepse kur e merr nxënësin në arsimin e mesëm policor në moshën 14 apo 15 vjeçare, menjëherë pas mbarimit te nëntëvjeçares, dhe kur do ta trajnosh dhe edukosh për katër vjet për kryerjen e detyrave ligjore, do të thotë ajo që thashë në fushën e së drejtës penale, në fushën e kundërvajtjeve, në fushën e së drejtës administrative, kushtetuese, njohja e ligjeve, ligji i sigurisë në trafik, rregullat për kryerjen e shërbimit të sigurisë publike e kështu me radhë, kështu që të gjitha këto do të kontribuojnë në këto katër vjet dhe nëse dikush do, partia të mos mund të ndikojë në një 15-vjeçar, dhe ju tashmë në moshën 19 vjeçe keni gati një produkt që nuk mendon në mënyrë partiake”, tha Ljubomir Gjurçevski, ish kryshef në MPB.
Arsimi i mesëm policor në vend u shfuqizua në vitin 2000, dhe që atëherë policët e ardhshëm kalonin përmes një Komisioni të posaçëm, për përzgjedhjen e kandidatëve të krijuar nga ministri dhe krahas aftësisë fizike për të marrë oficerë të rinj policie, kandidatët duhej të plotësojnë kushte të veçanta, pra lartësinë e kërkuar prej të paktën 175 centimetra për meshkujt dhe 165 centimetra për kandidatet femra.
Gjithashtu ishte kusht që kandidatët të mos ishin anëtar të ndonjë partie politike. Përkundër kësaj, të dhënat në terren janë të ndryshme, përkatësisht në polici po rekrutohen vazhdimisht kuadro të rinj politikë, kështu që sipas anketës së Eurothink-ut nga prilli i këtij viti, besimi i qytetarëve në polici është 28 për qind./ Alsat.mk