Rikthehet fluksi i pacientëve në Klinikën e Gastros

Gjatë javës u rikthyen në funksion Klinika për Gastroenterohepatologji në Shkup. Pacientët, të cilët kanë problem me stomakun tani mund të marrin trajtimet spitalore në këtë klinikë. Por, fluksi i shtuar i pacientëve ka bërë që të mbushin terminët e lira për një ekzaminim, meqenëse mundësinë për një kurim nuk e kishin për disa muaj. Drejtoresha e kësaj Klinike, Kalinka Grivçeva tha se shërbimet ambulantore kanë funksionuar edhe gjatë kohës së krizës, duke pranuar se tani është dyfishuar puna.

 

“Selektimin për caktimin e pacientëve apo shtyrjen e kontrolleve e bëmë sipas diagnozës. Ne nuk donim dhe ende nuk duam që të lëshohet ndonjë pacient për të cilin kemi dyshime për sëmundje malinje. Ne vetë bëmë gjithçka të jetë e mundur sa më shpejtë ta ekzaminojmë. Problemet që ndodhën gjatë këtyre muajve përderisa ishim kovid qendër, pacientët tanë që duhej të kurohen në spitalin tonë ishin të shpërndarë si ‘refugjatë’ nëpër reparte tjera, sepse kishim vetëm 15 shtretër në funksion të klinikës”, tha Kalina Grivçeva-Stardelova, Drejtoreshë e Klinikës për Gastrologji.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se Klinikat interne që shërbyen si kovid qendra, tani kanë nevojë të rikthehen në shërbim të qytetarëve për sëmundjet e tjera.

 “Për shkak të uljes së numrit të të shtruarve në javën e fundit janë mbyllur qendrat kovid në klinikën e Gastros, të Nefrologjisë, të ORL-së si dhe të Klinikës për Sëmundje të Syve. Aktualisht, situata tregon se nuk ka nevojë të zgjerimit të kapaciteteve spitalore për trajtim të pacientëve nga virusi korona”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë. 

Kjo klinikë dhe klinikat e tjera interne për disa muaj ishin të shndërruara në kovid qendra për pacientët, të cilët kuroheshin nga COVID-19. Por pas uljes së numrit të të shtruarve në spitale, të njëjtat u kthyen në gjendjen e mëparshme. Aktualisht, pacientët trajtohen vetëm nëpër disa kovid qendra dhe repartet infektive të spitaleve të vendit.

 Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button