Rokas në Tetovë: Bashkëpunimi me komunën është i shkëlqyer

Rokas në Tetovë: Bashkëpunimi me komunën është i shkëlqyer

Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, Mihalis Rokas, ka vizituar sot komunën e Tetovës, me qëllim njohjen nga afër me projektet e kësaj komune që realizohen me fondet e Bashkimit Evropian si dhe informimin për fondet Evropiane që kanë në dispozicion komunat për projektet në të ardhmen. Rokas u takua edhe më këshilltarët, për tu njohur nga afër me problemet dhe nevojat e komunës.

Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami me këtë rast tha se bashkë me fondet e BE-së, në Tetovë po realizohet projekti më i madh deri më tani, e që kap vlerën e rreth 50 Milion eurove.

“Diskutuam për të gjitha projektet që janë në realizim e sipër, e që bashkë financohen nga fondet evropiane, ka disa projekt që janë tejet të rëndësishëm për Tetovën dhe tetovarët. Unë do të përmend vetëm njërin që është në fazën përfundimtare në përzgjedhjen e kompanive që do realizojnë këtë projekt, që ka të bëj me trajtimin e ujërave të zeza në Tetovë, që është një projekt që sipas ofertave të para kalon shumën e 50 milion eurove”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

“Siç e dini ne kemi një bashkëpunim të gjatë me komunën dhe e kam patjetër të them se është ndër më të mirat dhe më të suksesshmet në shumë drejtime që kanë të bëjnë me jetën e përditshme, siç janë projektet e BE-së për ajër të pastër, apo siç përmendi kryetari projektin për ujërat e zeza dhe të tjera projekte, digjitalizimi dhe çerdhet. Kisha po ashtu edhe një bashkëbisedim të mirë me Këshillin komunal ku pash shumë pikëpamje dhe ide madje edhe në planin e bashkëpunimit ndërkufitar”, deklaroi Mihalis Rokas, shef i delegacionit të BE-së në RMV.

Rokas, pas vizitës që i bëri komunës së Tetovës, ka vazhduar vizitën e tij edhe në Europe Haus në Tetovë dhe Universitetin e Evropës Juglindore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button