Roma fiton, por Hoze Mourinjo shpërthen ndaj tifozëve

Pas barazimit me Leçen, Roma u rikthye te suksesi në Serie A teksa “verdhekuqtë” mposhtën në “Olimpico” të tejmbushur Veronën me rezultatin 1-0. Me mungesën e Paulo Dibala dhe dëmtimin e Tammu Abraham në pjesën e parë të lojës, petkun e heroit te Roma e mori transferimi i janarit Ola Solbakken.

Hoze Mourinjo pas sfidës kritikoi tifozët që në një moment të caktuar kontestuan paraqitjen e të riut Bove, por edhe pjesës tjetër të skuadrës. Tekniku portugez u shpreh se Bove e do Romën më shumë se një pjesë e mirë e tifozëve të pranishëm në Olimpico ndërsa shtoi se verdhekuqtë nuk po marrin meritat që meritojnë.

 

“Ishte një stadium plot, i tejmbushur. Por, ndonjëherë kjo të vendos edhe në vështirësi. Më vjen shumë keq që dëgjova vërshëllima në gabimin e parë, unë jam 60-vjeç dhe kam fituar në karrierë ndaj nuk është se kam nevojë për komplimenta, por kjo skuadër ka nevojë për mbështetje. Kanë nevojë për fjalë të bukura, Bove u kontestua por ai e do Romën më shumë se një pjesë e mirë e tifozëve që ishin në ‘Olimpico’. Gjithsesi, në fund të sezonit do të flas pak më shumë për këtë temë.

Fitorja ndaj Veronës i përket të gjithëve sepse qëndruam të bashkuar në fushë. Mungonte Dybala, humbëm Abraham dhe luajtëm mirë përballë një skuadre që të vendos në vështirësi. Më pëlqeu sakrifica e lojtarëve në fushë dhe pesë apo gjashtë prej tyre luajtën edhe në mesjavë. Por, sërish them që skuadra ime nuk merr asnjëherë meritat që i meriton”, u shpreh Mourinjo.

LEXO EDHE:

Back to top button