Xhejson Tatum po shpreson që ky të jetë viti që më në fund të mund të drejtojë Bostonin drejt titullit kampion. Vetëm në gjysmë të rrugës, lojtari 24-vjeçar ka marrë në shtëpi trofeun “Kobe Bryant” për “MVP”-në e NBA All-Star Game në duelin që “Team Giannis” mposhti “Team LeBron” me rezultat 184-175. Performanca e lojtarit ishte ndoshta më e mira në historinë e kësaj përballjeje, duke grumbulluar 55 pikë, që është një rekord i ri, duke kaluar 52 pikët e arritura nga Entoni Dejvis në edicionin 2017.
Xhianis Antetokounmpo, i cili ishte kapiteni duke qenë më i votuari në Konferencën Lindore, shfrytëzoi mundësinë e tij të parë mes lojtarëve titullarë për të zgjedhur Tatumin, i cili është rivali i tij kryesor në luftën për të arritur në finalet e NBA.
Çereku i tretë ishte i veçantë për Tatum-in, pasi ai shënoi 27 pikë, që është gjithashtu një numër rekord në një hark kohor prej 12 minutash në një NBA All-Star Game. Si të mos mjaftonte kjo, vëmendje të madhe tërhoqi edhe dueli individual që pati me shokun e tij të skuadrës, Xhejlen Braun, i cili ishte në ekipin e kapitenit tjetër, LeBron Xhejms, u përball me Tatumin 1-me-1 në disa raste, me driblime nga të dyja anët që ndezën tifozët në Salt Lejk Siti.
Vitin e kaluar, Stefon Kerri (i cili nuk luajti për shkak të lëndimit) mori trofeun “Kobe Bryant” për herë të parë duke shënuar 50 pikë, fillimi i një viti që përfshinte edhe trofeun “Larry O’Brien”, si kampion i NBA.








