Rrëmbimi në Tetovë, dy persona përfundojnë në pranga

Rrëmbimi në Tetovë, dy persona përfundojnë në pranga

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Dy persona të moshës 52 dhe 56-vjeçare kanë përfunduar në paraburgim nën dyshimin se kanë rrëmbyer dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve i moshës së mitur. Të dyshuarit, sipas SPB Tetovë me dhunë i kanë futur të dëmtuarit në makinë dhe më pas kanë filluar t’i rrahin.

“Personin Xh.D. 56-vjeç nga fshati Gajre i Tetovës dhe personin L.D. 52 nga Tetova. Të njëjtit kanë qenë të raportuar nga Z.J. 39-vjeçare nga Xhepçishti se një ditë më parë kanë futur me dhunë në automjetin e tyre BMV X5 djalin e saj të mitur dhe në veturë e kanë sulmuar fizikisht dhe gjatë sulmit kanë përdorur mjete të forta. Gjithashtu, për të njëjtën vepër kanë qenë të raportuar edhe nga B.Sh. 24-vjeç nga Tetova se të njëjtit në një rrugë në qytetin e Tetovës e kanë marrë me automjet dhe e kanë sulmuar fizikisht brenda automjetit. Kështu që i njëjti ka pasur sukses dhe ka ikur prej tyre. Mirëpo në të dyja rastet, gjatë tentimit për ikje të njëjtit kanë treguar edhe armë zjarri, pistoletë”, deklaroi Fatmir Rexhepi, SPB Tetovë.

Në lidhje me motivet e rrëmbimit, Prokuroria njofton se të dyshuarit, fillimisht me forcë kanë futur në automjetin e tyre 24-vjeçarin dhe kanë filluar ta rrahin duke kërkuar që i dëmtuari t’u tregojë se kush ka marrë para nga vajza e njërit prej tyre. I dëmtuari u ka treguar dy persona dhe adresat e tyre. Derisa janë vënë në kërkim të gjetjes së personave, i dëmtuari u ka ikur nga automjeti.

Megjithatë, të dyshuarit të njëjtën ditë kanë rrëmbyer personin që u ka treguar i dëmtuari, respektivisht 16-vjeparin, të cilin sikur në rastin e parë, e kanë futur me forcë në makinën e tyre, ndërsa duke e goditur me grushte kanë kërkuar të tregojë pse e ka rrahur vajzën e njërit prej tyre. 16-vjeçarit ia kanë marrë telefonin celular dhe e kanë detyruar ta hapë që t’i lexojnë mesazhet, ndërsa më pas në parking e kanë nxjerrë nga automjeti dhe kanë vazhduar ta godasin me grushte dhe shufër metali, derisa në një moment i mituri ka arritur që t’u ikë të dyshuarve. Të dyshuarit do të ndiqen për veprën penale “Rrëmbim” sipas nenit 141 të Kodit Penal, me të cilën parashikohet dënim me burg deri në 10 vjet. Për shkak të plotësimit të kushteve ligjore, Prokuroria ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button