Rreth 20 për qind e buxhetit të Ministrisë së Kulturës, për fatura të rrymës dhe ujit

Rreth 20 për qind e buxhetit të Ministrisë së Kulturës, për fatura të rrymës dhe ujit

Gazetar: Adnan Qaili

Në propozim buxhetin për kulturën për vitin 2023 që kap vlerën 61,6 milionë euro, i jepet prioritet rikonsturimit të muzeve, objekteve monumentale dhe përmendoreve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Për shpenzime kapitale, në propozimin e buxhetit janë paraparë 6.4 milionë €. Ministrja e Kulturës tha se janë rritur edhe mjetet për shërbime komunale për institucionet nga sfera e kulturës, bllok-dotacionet dhe subvencionet kapitale për komunat, nga 1 sa ishin, në 20 milionë denarë.
Ajo përkujtoi se sipas marrëveshjeve kolektive me draftin e ri për paga do kenë 1 milion euro më shumë.

“Edhe me rishikimin e këtij viti, kur kishim shumë shkurtime për të siguruar mjaftueshëm paga dhe mjete për të paguar energjinë elektrike, të njëjta ishin shqetësimet se nuk do të mund të paguhet plani deri në fund, kur tani më pagesat e programit janë zbatuar 96%, kështu që nuk ka vend për frik as sivjet për pagat apo programin vjetor”, deklaroi Bisera Kostadinovska-Stojçevska, ministre e Kulturës.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se 12,5 milion euro të buxhetit do të ndahen për energjinë elektrike dhe shërbimet komunale të institucioneve kulturore kombëtare. Sipas përllogaritjeve tona, rreth 20% e buxhetit total të kulturës do të shpenzohet vetëm për faturat e rrymës, ujit dhe mbeturinave. Por, Kovaçevski tha se ka mjete edhe për investime kapitale.

“Mbi 2,3 milion euro janë paraparë për vazhdimin e ndërtimit të teatrit dhe të bibliotekës në Tetovë, bëhet fjalë për objekt me gabarit të lartë që do bashkoj kulturën në rajonin e Pollogut. 2 Milion euro janë paraparë për ndërtimin e Teatrit turk që do të jetë plotësisht objekt i ri. Po ashtu vazhdojnë ndërtimet në teatrin e Strumicës, për të cilin janë paraparë të ndahen 500 mijë euro”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.

Në konkursin vjetor për mbështetjen e projekteve me interes kombëtar në kulturë për vitin 2023 janë bërë 3,355 aplikime në formë elektronike. Për të evituar abuzimet, kanë sofistikuar sistemin përmes “e-service” dosjet e të cilëve do ti shqyrtojnë komisionet përkatëse. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button