Izraeli, sulme ajrore ndaj rripit të gazës

Izraeli, sulme ajrore ndaj rripit të gazës

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, gjatë një adresimi televiziv tha se Izraeli është “në luftë”, pas sulmit masiv që militantët e Hamasit nisën më herët gjatë ditës.  Grupi militant Hamas tha se ka lëshuar mijëra raketa në Izrael mëngjesin e sotëm, duke nxitur autoritetet që të lëshojnë alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv. Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme ajrore ndaj caqeve në Rripin e Gazës.

Luftëtarët e Hamasit po ashtu kanë kaluar kufirin e fortifikuar dhe kanë hyrë në Izrael, duke u përleshur me forcat e mbrojtjes së Izraelit në të paktën shtatë lokacione në jug të Izraelit. Hamasi lëshoi një deklaratë, duke thënë se mbi 5.000 raketa janë lëshuar në atë që e ka quajtur “Operacioni Përmbytja Al-Aksa”. “Ne kemi vendosur t’i japim fund të gjitha krimeve të pushtimit”, u tha në deklaratë.

“Ne jemi në luftë, jo në një operacion, por në luftë. Këtë mëngjes, Hamasi nisi një sulm të papritur kundër Izraelit dhe qytetarëve të tij. Mblodha krerët e sigurimit, udhëzova fillimisht që të pastrohen fshatrat. Urdhërova një mobilizim të gjerë për rezervistët që të luftojnë. Armiku do ta paguajë çmimin. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Izraelit që t’i binden udhëzimeve të ushtrisë. Jemi në një luftë dhe do ta fitojmë atë “, tha Benjamin Netanjahu, kryeministër i Izraelit

Nga ana tjetër presidenti palestinez, Mahmud Abas ka theksuar se qytetarët kanë të drejtë të mbrohen kundër pushtuesve të tyre. “Popullit tonë duhet t’i sigurohet mbrojtje dhe ne themi se populli palestinez ka të drejt të mbrojë veten kundër terrorizmit të kolonëve dhe forcave pushtuese”, tha Abas.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja, Gjermania dhe shtetet e tjera kanë lëshuar deklarata duke afirmuar të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe kanë bërë thirrje për armëpushim. SHBA-ja tha se e dënon sulmin nga “terroristët e Hamasit”. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se Pentagoni do të punojë për t’u siguruar që Izraeli “ka atë që i duhet për të mbrojtur veten”.

Ndërkohë Një këshilltar i liderit suprem të Iranit tha se shteti i tij mbështet “operacionin krenar”. Në Liban, grupi militant Hezbollah lavdëroi Hamasin dhe tha se sulmi ndaj Izraelit ka “mbështetje hyjnore”. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusia u kanë bërë thirrje të dyja palët të tregojnë përmbajtje.

Izraeli ka mbajtur një bllokadë strikte në Gaza që kur Hamasi mori territorin në vitin 2007. Kufizimi i lëvizjes së mallrave dhe njerëzve ka shkatërruar ekonominë në Gaza, por Izraeli ka thënë se bllokada është e nevojshme për të parandaluar që armët të arrijnë te grupet militante. Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor në vitin 1967 gjatë luftës gjashtëditore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button