Rritet numri i viktimave nga përmbytjet katastrofike në Gjermani

Të paktën 120 persona kanë vdekur ndërsa qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur si pasojë e përmbytjeve në Gjermani, të cilat janë cilësuar si më të rëndat në disa dekada. Autoritetet Gjermane kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet gjatë ditëve të ardhshme.
Mijëra policë, ushtarë dhe punonjës të shërbimit të urgjencës janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit. Kancelaria gjermane Angela Merkel e cila po qëndron në vizitë zyrtare në Uashington ka thënë se do të bëjnë gjithçka për gjetjen e të zhdukurve nga përmbytjet, duke shtuar se shkalla e plotë e katastrofës do të vlerësohet në ditët në vijim.
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Ualter Steinmeier e lidhi motin ekstrem me ngrohjen globale dhe tha se duhet të bëhet më shumë për mjedisin.
Jam prekur thellësisht nga lajmet dhe fotografitë e efekteve shkatërruese të katastrofës së përmbytjeve në shumë pjesë të vendit tonë. Shumë njerëz kanë humbur atë që kanë ndërtuar tërë jetën e tyre – sendet e tyre, shtëpitë e tyre, çatinë mbi kokë. Duke marrë përsipër me vendosmëri luftën kundër ndryshimit të klimës, ne do të jemi në gjendje të mbajmë brenda kufijve kushtet ekstreme të motit, të tilla si ato që po përjetojmë tani – deklaroi Frank-Ualter Steinmeier, President i Gjermanisë.
Ngjashëm është shprehur edhe ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer I cili ka thënë se Gjermania “duhet të përgatitet shumë më mirë në të ardhmen, ky mot ekstrem është pasojë e ndryshimit të klimës”.
Përmbytje ka pasur edhe në Belgjikë ku janë raportuar së paku 20 viktima.
Edhe Holanda, Luksemburgu dhe Zvicra janë prekur nga reshjet e dendura të shiut. Shira të furishëm parashihen në gjithë rajonin gjatë ditës së sotme.
Vjollca Aliti