Rritet numri i viktimave nga përmbytjet në Turqi

Numri i të vdekurve nga përmbytjet në rajonin e Detit të Zi të Turqisë është rritur në 40, thanë autoritetet, transmeton Anadolu.

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur goditën rajonin e Detit të Zi në veri të vendit të mërkurën, duke lënë 34 persona të vdekur në provincën e Kastamonu, tha në një deklaratë Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Po ashtu, gjashtë të tjerë vdiqën në provincën Sinop, ndërsa përpjekjet e kërkimit janë duke vazhduar për një individ në provincën Bartın.

Operacionet e shpëtimit dhe ndihmës vazhdojnë në zonat e goditura nga përmbytjet, shtohet në deklaratë.

Deri më tani 341 persona janë evakuuar në Bartın, 1.380 në Kastamonu dhe 526 në provincën Sinop.

Dje, presidenti Recep Tayyip Erdoğan vizitoi rrethin Bozkurt në Kastamonu, zona më e goditur nga përmbytjet.

“Ne do të bëjmë çmos si shtet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shpresojmë se do të ngrihemi përsëri në këmbë” tha ai.

Presidenti shtoi se ai do të bëjë një vlerësim në vend së bashku me ministrin e Brendshëm Süleyman Soylu, ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës Adil Karaismailoğlu dhe ministrin e Mjedisit dhe Urbanizimit Murat Kurum. Hapat e nevojshëm do të merren pas vlerësimit, tha ai.

Më vonë gjatë ditës, Erdoğan njoftoi se vendet e prekura janë shpallur zonë fatkeqësie.

Këto vende do të mund t’i shtyjnë detyrimet tatimore dhe tregtarët vendas do të lejohen t’i shtyjnë pagesat në Institucionin e Sigurimeve Sociale të vendit. Asistenca do të ofrohet gjithashtu për të mbuluar humbjet e pronës, automjeteve dhe vendeve të punës.

Shlyerjet e huave të bizneseve gjithashtu do të shtyhen, kurse shteti do të përgatisë një plan mbështetjeje emergjente për zonat e goditura nga fatkeqësitë.

LEXO EDHE:

Back to top button