Rritet presioni ndaj Ten Hag-ut, 7 ndeshje brenda 22 ditëve
Presioni po rritet mbi trajnerin Erik ten Hag, që e pret një kalendar i vështirë ditët në vijim. Programi i Man. Junajtedi përmban një seri prej shtatë ndeshjesh në hapësirën prej 22 ditësh nga fundi i pushimit ndërkombëtar të shtatorit dhe fillimi i pushimit të tetorit.
Me fillimin e Ligës Europa, do të përfshihen shumë udhëtime dhe katër nga shtatë ndeshjet (përfshirë tre nga katër ndeshjet e Premier Ligës) do të luhen jashtë shtëpisë. Dëmtimet nuk kanë qenë një aleat i “Djajve të Kuq”, që kanë mjaft lojtarë në infermieri.
“Do të jetë një tur force i vështirë për ne. Jemi përgatitur maksimalisht për të përballur këtë situatë, por mungesa e disa lojtarëve e vështirëson punën, pasi dikush duhet të pushojë herë pas here”, tha në fillim Ten Hag.
Trajneri holandez paralajmëroi se ardhja e Manuel Ugarte-s mund të marrë kohë për t’u përshtatur në Premier Ligë, por ai do të ketë nevojë për uruguaianin sa më shpejt. Loja e dobët e Kasemiro kundër Liverpullit nënvizoi problemet në mesfushë. Energjia, intensiteti dhe aftësia për të fituar topin e Ugartes janë cilësi që u mungojnë aktualisht.