Rritja e numrit të rasteve me COVID, MSH: Ka edhe 350 shtretër të lirë në vend

Varianti i ri i CoVid-19 kthen një hap mbrapa sistemin shëndetësor në luftën kundër pandemisë. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 721 raste të reja nga 3,323 testet e bëra. Gjysma prej rasteve pozitive janë vetëm në Shkup. Shqetësuese është edhe rritja e shifrave në qytetet e tjera. 24 orët e fundit janë shënuar 9 viktima, ndërsa 1,753 të tjerë janë shëruar. Por, rritja për më shumë se 50% e rasteve pozitive për një javë, ka shtuar edhe rastet në kurim spitalor. Gjithsej 787 pacientë janë duke u trajtuar në repartet infektive të gjithë vendit, shumica prej tyre në oksigjeno terapi. Ka edhe 350 shtretër të lirë, thonë nga Ministria.

Ministria e Shëndetësisë

“Në 24 orët e fundit në kovid qendrat e Shkupit janë hospitalizuar 39 pacientë për shkak të komplikimeve nga virusi korona. Ndërkaq, në klinikat interne janë pranuar edhe 22 pacientë të tjerë. Në Spitalin “8 Shtatori” 11 pacientë të ri u shtruan, ndërsa në Klinikën Infektive vetëm 3 pacientë.”

Shqetësuese mbetet edhe numri i pacientëve të hospitalizuar, në klinikat private të vendit. Sipas këtyre të fundit, mbi 95% të rasteve të rënda që kanë pranuar janë transferuar nga spitalet e shtetit. Nga Klinika “Zhan Mitrev” bëjnë të ditur se aktualisht rreth 30 pacientë me kovid kurohen në gjendje të rëndë shëndetësore.

 Klinika private “Zhan Mitrev”

“Nga fillimi i pandemisë pothuajse të gjithë pacientët, të cilët i kemi pranuar në klinikën tonë për kurim janë transferuar nga spitalet shtetërore, ku paraprakisht kanë qëndruar më shumë se 10 ditë dhe për fat të keq kanë qenë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Numri i atyre pacientëve, të cilët janë shtruar tek reparti ynë infektiv nga kurimi shtëpiak është simbolik.”

Prej shpërthimit të pandemisë në vend, pozitiv me CoVid-19 kanë rezultuar 105,269 pacientë. Numri i të shëruarve është 93,942 ndërkaq i të vdekurve ka arritur në 3,165. Prej dy muajsh kur edhe u paraqit varianti i ri britanik, 70% e pacientëve janë prekur nga ky lloj, duke e ngritur edhe numrin e rasteve aktive në 8,162 pacientë në gjithë vendin.

 

Përgatiti: Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button