Rusia: 79 shtetas të RMV-së, në Ukrainë – Përgjigjen nga MPJ

Rusia: 79 shtetas të RMV-së, në Ukrainë - Përgjigjen nga MPJ

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka informacione për shtetas të vendit të cilët luftojnë ose kanë humbur jetën në Ukrainë, shkruan Alsat.

Përgjigja e institucioneve të vendit nuk ka ndryshuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë edhe pse autoritetet ruse në vazhdimësi publikojnë shifra të përditësuara.

“Ministria e Punëve të Jashtme nuk posedon informacione relevante që lidhen me pjesëmarrjen eventuale të shtetasve tanë në luftën në Ukrainë, as shtetas tanë të vrarë në luftë. MPJ në vazhdimësi e ndjek situatën përmes ambasadës në Ukrainë. Sapo të ketë informacione të reja, opinion do të njoftohet”, thanë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Rusia publikoi listën e atyre që i quan “të paguar” për të luftuar në anën e Ukrainës që nga fillimi i luftës e deri më 5 gusht, nga të gjitha vendet e botës, e në mesin e tyre edhe Maqedonia e Veriut. Sipas autoriteteve të Kremlinit në Ukrainë kanë luftuar 79 shtetas të Maqedonisë së Veriut, 26 prej të cilëve janë vrarë, 21 janë deportuar kurse 32 mbeten në zonat e luftës. Në listën ruse janë pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat Rusia kohë më parë i futi në listën e zezë meqë dolën në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës.

Sipas Rusisë, nga Kosova në Ukrainë kanë shkuar të luftojnë 156 shtetas prej të cilëve 72 janë vrarë. Nga Shqipëria, gjithmonë sipas Moskës, kanë qenë 150 shtetas, 53 prej të cilave tashmë janë vrarë. Nga vendet e tjera të botës më shumë në listë ka nga Polonia, gjegjësisht 1837 shtetas, 643 prej të cilëve  janë eliminuar.

Kodi penal i Maqedonisë së Veriut parashikon deri në 5 vjet burg për shtetasit të cilët luftojnë në luftërat jashtë. Ndryshimet janë bërë në vitin 2014. / Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button