Rusia dhe SHBA-ja zgjasin marrëveshjen për kontroll të armëve

Ministria e Jashtme ruse njoftoi se zgjatja e Traktatit të Reduktimit të Armëve Strategjike (START) ka hyrë në fuqi që nga dita e sotme, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e saj të internetit, ministria tha se traktati do të qëndrojë në fuqi “saktësisht siç është nënshkruar, pa ndonjë ndryshim ose shtesë” për pesë vjet, deri më 5 shkurt 2026.

“Biseda telefonike midis Presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe Presidentit të SHBA-së Joseph Biden më 26 janar 2021 u bë kyçe për të vazhduar këtë zhvillim”, tha ministria.

Deklarata e quajti Rusinë dhe SHBA-në si “kombet më të mëdha bërthamore në botë” që mbajnë “përgjegjësi të veçanta” dhe tha se “vendimi i marrë është i rëndësishëm pasi garanton një nivel të nevojshëm të parashikueshmërisë dhe transparencës në këtë fushë, duke ruajtur në mënyrë rigoroze një ekuilibër interesash”.

“Ne presim që mirëkuptimi, i arritur me Washington-in në lidhje me të ardhmen e Traktatit të Ri START (New START) si një gur themeli i sigurisë ndërkombëtare, do të mundësojë lënien pas të prirjes për çmontimin e mekanizmave të kontrollit të armëve dhe mospërhapjes së armëve, kaq i përhapur në vitet e fundit për shkak të politikave destruktive të SHBA-së”, thuhet në deklaratë.

Ministria theksoi se “hapa të rëndësishëm” do të kërkohen për të kthyer dialogun dypalësh ruso-amerikan mbi kontrollin e armëve në “një trajektore më të qëndrueshme, për të arritur rezultate të reja thelbësore” që do të forconin stabilitetin strategjik global.

“Rusia është e gatshme të bëjë pjesën e saj. Ne i bëjmë thirrje SHBA-së të zbatojnë një qasje të ngjashme me përgjegjësi dhe t’u përgjigjen iniciativave tona në një mënyrë konstruktive”, tha ministria ruse.

Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, tha në një deklaratë se zgjatja traktatit New START do t’i mundësojë Washington-it “të monitorojë pajtueshmërinë ruse me traktatin dhe të na sigurojë një pasqyrë më të madhe të qëndrimit bërthamor të Rusisë, përfshirë përmes shkëmbimeve të të dhënave dhe inspektimeve brenda vendit që lejojnë inspektorët e SHBA-së të vëzhgojnë forcat dhe objektet bërthamore ruse”.

Duke nënvizuar se një “konkurrencë bërthamore e pakufizuar do t’i rrezikonte të gjithë”, sekretari amerikan tha se vendimi i zgjatjes do ta bëjë botën “më të sigurt”.

Traktati i parë i Reduktimit të Armëve Strategjike, START I, i nënshkruar në vitin 1991 midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, hyri në fuqi në vitin 1994.

Në vitin 2010, ish-Presidenti i SHBA-së Barack Obama dhe presidenti rus Dmitry Medvedev nënshkruan një marrëveshje pasardhëse, të quajtur New START, e cila vendosi një limit prej jo më shumë se 1.550 kokave të pozicionuara dhe 700 raketave, përfshirë inspektimet për të verifikuar pajtueshmërinë me marrëveshjen. Data e skadimit të saj ishte caktuar për më 5 shkurt, 2021.

LEXO EDHE:

Back to top button