Rusia me tentativa të vazhdueshme për të destabilizuar Ballkanin

Rusia vuri nën shënjestër Ballkanin Perëndimor, në një periudhë kur shtetet e tij kristalizuan bindjen e tyre për anëtarësim drejt NATO-s, shkruan Alsat. Në vitin 2016, Ballkani u trondit nga ngjarjet kur dhjetëra persona, kryesisht nacionalistë proserbë dhe prorusë tentuan të organizonin puç ndaj qeverisë së Malit të Zi, për ta mbajtur këtë vend jashtë NATO-s. Komplotistët, sipas aktakuzës synonin të merrnin nën kontroll Parlamentin e vendit gjatë zgjedhjeve parlamentare, të vrisnin kryeministrin e atëhershëm Milo Gjukanoviq si dhe të instalonin një udhëheqësi pro-ruse. Eduard Shishmakov and Vladimir Popov, dy oficerë rusë të shërbimit ushtarak u dënuan në mungesë me nga 15 dhe 12 vjet burg, për tentativë terrorizmi dhe krijim të organizatës kriminale.
Në vitin 2018, kur opinioni ndërkombëtar u trondit nga helmimi me gaz nervin noviçok i ish spiunit rus Sergei Skripal (agjent i dyfishtë për Britaninë) dhe vajzës së tij Yulia më 4 mars të 2018-ës, 14 shtete të BE-së iu kundërpërgjigjën me një sërë dëbimesh. Edhe Shqipëria ngriti vigjilencën duke dëbuar dy diplomatë rusë, Vladislav Filipov dhe Aleksei Balashov me arsyetimin se “veprimtaria e tyre nuk përputhej me statusin diplomatik”.
Në maj të vitit 2019, edhe Qeveria e Kosovës shpalli person non-grata punonjësin rus të Misionit të Kombeve të Bashkuara UNMIK, Mikhail Krasnoshchenkov, që sipas autoriteteve të Prishtinës, kishte vepruar në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës, duke ndaluar zbatimin e ligjit në veri të vendit.
Në periudhën e mëvonshme, BE-ja dhe NATO do të hetonin seriozisht veprimet e agjentëve rusë të shpërndarë nëpër Evropë, që sipas studimeve, kishin dy qëllime, vjedhjen e informacioneve nga NATO si dhe frenimin e shtrirjes së mëtejshme të këtyre vende drejt NATO-s. Nga këto hetime do të mësohej se pikërisht dy agjentët që kishin helmuar me gaz nervin Skripalin në Britani, Alexander Yevgenyevich Mishkin dhe Anatoliy Chepig, ishin gjithashtu edhe truri i shpërthimit të depove të armëve në qytezën Vërbetice të Çekisë. Për aktin armiqësor, Çekia përzuri 18 diplomatë rusë nga vendi.
Ndërkohë, pas helmimit të tregtarit bullgar të armëve Emilian Gebrev në vitin 2015 si dhe një sërë zjarresh në 4 depo me municione të destinuara për në Ukrainë dhe Gjeorgji, edhe Bullgaria ngriti alarmin për ndërhyrje të Rusisë. Në kuadër të hetimeve, Bullgaria gjeti edhe molat brenda sistemit; 5 zyrtarë të Ministrisë bullgare të Mbrojtjes u arrestuan, si të rekrutuar nga Rusia për spiunim dhe nxjerrje informatash që kërcënonin sigurinë e Bullgarisë, BE-së, NATO-s dhe SHBA-së.
Përveç destabilitetit anti-Nato, Rusia po shkel edhe të drejtën ndërkombëtare, duke dislokuar trupa ushtarakë dhe armatime pranë kufirit lindor me Ukrainën. Pas marrjes nën kontroll të Krimesë vite më parë, Rusia tani nxit dhe armatos kryengritësit ndaj pushtetit të Ukrainës duke e shkelur 224 herë armëpushimin. NATO paralajmëroi masa, SHBA-ja dhe BE-ja sanksione, ndërkohë që trupat ruse vazhdojnë ende sot e kësaj dite të krijojnë tensione në kufi. Ndërsa në rrafshin e brendshëm, shërbimi rus helmoi në gusht të 2020-ës aktivistin dhe opozitarin Aleksei Navalny, me gaz nervin noviçok.
Pas kurimit në Gjermani, Navalny u rikthye në vend, direkt në burg për një tjetër vepër të iniciuar nga pushteti rus. Vetëm pak ditë më parë, ai ndërpreu grevën e urisë, nga ku u shfaq para gjykatës, duke akuzuar presidentin rus se duke u mbyllur gojën opozitarëve, synon të mbajë pushtetin dhe të qeverisë Rusinë përgjithmonë. Navalny e përshkroi Putinit si një “mbret pa rroba i cili po plaçkiste njerëzit” dhe po u mohonte rusëve të ardhmen.