Rusia ngre alarmin: Vendimet e NATO-s rrezikojnë përshkallëzimin
Rusia dënon samitin e NATO-s dhe paralajmëron se vendimet e marra në të mund të shkaktojnë pasoja serioze dhe katastrofike, veçanërisht për shkak të ndihmës së paralajmëruar ushtarake për Ukrainën dhe forcimit të kapaciteteve ushtarake në Evropë.
Rusia dënoi vendimet e marra në një samit të NATO-s në Turqi, duke paralajmëruar se ato mund të kenë pasoja katastrofike , pasi aleanca njoftoi ndihmë të re ushtarake për Ukrainën dhe riafirmoi angazhimin e saj për mbrojtje kolektive.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se prioritetet e NATO-s mbeten të pandryshuara. “Këto janë militarizimi i kontinentit evropian, forcimi i aftësive mbrojtëse, përgatitjet për konflikt të armatosur me Rusinë dhe, natyrisht, ndihma për Ukrainën”, tha ajo.
” Është për të ardhur keq që strategët e NATO-s nuk u ndalën për një moment dhe nuk menduan. Ndoshta atëherë nuk do të kishin marrë vendime kaq të papërgjegjshme që mund të çonin në një katastrofë jo vetëm për aleancën, por edhe për të gjithë botën”, tha Zakharova në një deklaratë të botuar në faqen e internetit të ministrisë.
Në samit, anëtarët e NATO-s premtuan 70 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën deri në vitin 2026. Në një deklaratë përfundimtare, ata riafirmuan “angazhimin e tyre të palëkundur” ndaj parimit të mbrojtjes kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe paraqitën kontrata prokurimi armësh me vlerë të paktën 50 miliardë dollarë.








