Rusino, ndërmarrja që funksionin me borxhe

Rusino, ndërmarrja që funksionin me borxhe

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Ambasadorja e Zvicrës shteti i së cilës është edhe donator për deponinë Rusino, sot e shoqëruar edhe nga Ministri i ekologjisë dhe krerët e komunave të Pollogut, inspektuan punimet në këtë deponi rajonale. Nga ajo që panë, mbetën të kënaqur, sidomos krerët e komunave të Pollogut, edhe pse borxhin ndaj Ndërmarrjes nuk e kanë shlyer Gostivari dhe Tetova.

“Ne tashmë i kemi njoftuar me shkrim komunat se kanë borxh të tejkaluar për tre muaj. Shpresojmë që ky borxh shpejt të shlyhet, e nëse jo atëherë do ulemi bashkë me krerët e komunave sepse ata janë themelues, dhe të vendosim që mos paguesit të sanksionohen me mos lejim të hedhjes së mbetjeve në Rusino. Borxhi i përgjithshëm është rreth shtatë milion denar përfshi këtu edhe disa operatorë privat që kemi. Natyrisht 40 për qind e borxhit është e komunës së Gostivarit dhe Tetovës”, u shpreh Besim Dogani, drejtor i deponisë rajonale Rusino.

Krerët e komunave të Tetovës dhe Gostivarit thanë se për shkak të llogarive të bllokuara dhe krizës s’mund ta shlyejnë tani borxhin.

“Ndaj Ndërmarrjes kemi borxh, por, për fat të keq, komuna është me xhirollogari të bllokuar. Sa të debllokohemi do mundohemi t`i mbulojmë, sepse, jemi të vetëdijshëm se para së gjithash për funksionim si duhet të Ndërmarrjes, komuna e Tetovës dhe e Gostivarit duhet të mbulojë borxhin”, tha Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.

“Borxhi që ka komuna jonë është në kuadër të borxhit të përditshmërisë, operativ, por nëse është më shumë se tre muaj, siç tha drejtori, do të intervenojmë, dhe nëse Ndërmarrja komunale nuk do ketë mundësi të paguaj borxhin ne si komunë do marrim masa”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Rajoni planor i Pollogut, së shpejti pritet të mbaj edhe mbledhje për të marrë masa kundër komunave që nuk paguajnë borxhin ndaj Ndërmarrjes. Deponia Rusino në këtë vend, do të funksionojë edhe dy vite, pas çka, Ministria e ekologjisë bashkë me regjionin planor të Pollogut do të gjejnë lokacionin e ri. Pritet po ashtu edhe miratimi në Parlament i huazimit prej rreth 50 milion euro, për ndërtimin e një deponie të re rajonale, ku do të bëhet edhe reciklimi i mbetjeve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button