Rutte porositi Maqedoninë që ta rrit buxhetin për mbrojtje – Siljanovska: Garanci është anëtarësimi
Rutte porositi Maqedoninë që ta rrit buxhetin për mbrojtje – Siljanovska: Garanci është anëtarësimi
Gazetar: Suad Bajrami
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rute gjatë vizitës së sotme në Shkup, porositi Maqedoninë e Veriut që ta rrit buxhetin për mbrojtje nga 2 në 5% të Bruto Prodhimit Vendor. Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten Gordana Siljanovska Davkova, Rute gjithashtu i kërkoi vendit që të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën.
“Kjo nuk është periudhë për të qëndruar të qetë. Të gjithë aleatët duhet patjetër të bëjnë, patjetër duhet t’i rrisim kontributet ndaj mbrojtjes dhe kjo është kyçe për t’i arritur qëllimet tona dhe tërësisht, t’i pajisim aktivitetet e NATO-s, ndërsa rezultati është – siguri më e madhe, rritje më e madhe ekonomike, më shumë vende pune. Për vetëm katër muaj do të mbahet Samiti ynë në Ankara dhe atje patjetër të tregojmë se aleatët japin kontribut të prekshëm drejt rritjes së mbrojtjes dhe të vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën, e di se mund të llogarisim në Maqedoninë e Veriut”, tha Mark Rute, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Ndërkohë presidentja Siljanovska vizitën e Rutes e shfrytëzoi për të përsëritur thirrjen për zhbllokimin e negociatave me Bashkimin Evropian nën arsyetimin se kjo çështje paraqet dhe çështje sigurie.
“Garancia më e madhe për paqen dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe për rezistencë të përhershme ndaj ndikimeve të fuqive të treta, atë ia thash edhe sekretarit të përgjithshëm, është integrimi i tij urgjent dhe i plotë politik në Bashkimin Evropian”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova, Presidente e Maqedonisë së Veriut.
Më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë do të mbahet Samiti i radhës, ku krahas temës së nxehtë lidhur me Iranin, fokus i veçantë do të vihet në rritjen e investimeve në mbrojtje. Siljanovska kërkoi nga Rute që t’i kushtohet vëmendje e veçantë gjendjes së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në kontekst të sfidave aktuale. Rute sot në Shkup u takua edhe me kreun e Kuvendit Afrim Gashi, por edhe kryeministrin Hristijan Mickoski./ Alsat.mk









