Ruzhin: Deklaratat e Zaharievës, për fushatë politike

Deklaratat politike në lidhje me marrëdhëniet maqedono-bullgare mund të prishin procesin e negociatave, është qëndrimi i Qeverisë së Maqedonisë. Ky është reagimi pas deklaratës së Ministres së Jashtme Bullgare Ekaterina Zaharieva për njohjen e rrënjëve Bullgare të gjuhës dhe identitetit maqedonas, si kusht që Sofja të mos e bllokojë procesin e integrimit evropian të vendit. Qeveria përsëriti qëndrimet e saja se nuk ka nevojë për aneks ose nënshkrim të një marrëveshjeje të re të fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, por brenda asaj ekzistuese janë të gatshëm të pranojnë sqarimin e shqetësimeve të caktuara që ekzistojnë në Sofje. Qëllimi është që deri në fund të vitit Maqedonia të fillojë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

QEVERIA E  REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT:

“Gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas janë fakte të konfirmuara nga Kombet e Bashkuara dhe nuk duhet të ketë asnjë dilemë rreth kësaj. Qeveria është për dialog që do të çojë në zgjidhje të çështjeve të hapura. Vlerësojmë se në këtë fazë, duke bërë deklarata politike, procesi i negociatave midis dy ministrive të jashtme nuk duhet të prishet”.

Profesori universitar dhe ish ambasadori Nano Ruzin vlerëson se “kërcënimet” që vijnë nga pala bullgare po përdoren për nevoja të brendshme politike. Ai është optimist se me një diplomaci të suksesshme do të gjendet një zgjidhje përkatëse dhe pasqyra, siç thotë, do të jetë më e qartë pas 10 nëntorit – kur do të zhvillohet Procesi i Berlinit, i bashkë-kryesuar nga Maqedonia dhe Bullgaria.

Të gjitha ato parti kombëtare, të gjithë ato që kanë kërkesa ekstremiste dhe partikulariste, e gjenë veten në këtë kërkesë, kështu që ne mund ta trajtojmë atë më shumë edhe si një lloj marketingu parazgjedhor, megjithëse depërton thellë në strukturat dhe historitë maqedonase dhe bullgare, etj. Ne kemi mësuar një histori, ata tjetër, kështu që me një kombinatorikë, midis politikanëve dhe historianëve që janë me  orientim evropian, çështja mund të zgjidhet”-tha Nano Ruzhin, ish ambasador.

Ndaj “kushteve” të dorëzuara nga Ministrja Zaharieva reaguan edhe politologë të huaj, duke i vlerësuar ato si absurde dhe jo-evropiane.

Imagjinoni që Gjermania të këmbëngulë që Austria të njohë rrënjët e saj Gjermane, duke kërcënuar atë me tensione nëse nuk e bën këtë. Imagjinoni Suedinë t’ia bëjë këtë Norvegjisë. Çekët t’ua thonë këtë Sllovakëve. Absurde? Po! Kjo është ajo që po bën Bullgaria, duke minuar besueshmërinë e politikave të BE-së në Ballkan”-ka shkruar  Gerald Knaus, Iniciativa Evropiane për Stabilitet.

Ndaj qëndrimeve të Zaharievës dje reagoi edhe lideri i opozitës Hristijan Mickoski, duke akuzuar qeverinë se nuk bën asgjë në mbrojtje të identitetit maqedonas. Zaharieva dje në intervistë për “Reuters” haptas tha se problemi kryesor për Bullgarinë është pakica maqedonase dhe se zgjidhja e vetme do të ishte njohja e rrënjëve bullgare.

Alsat

LEXO EDHE:

Back to top button