Sa e dëmshme është një gotë verë në ditë? Shkenca që mbështet pirjen e moderuar të pijeve alkoolike ende ka nevojë për fakte
Një studim i publikuar në revistën shkencore ‘Nature’ në mars duket se ofron disa nga provat më bindëse, se edhe pirja mesatare e alkoolit mund të dëmtojë trurin.
Pas ekzaminimit të skanimeve të trurit nga më shumë se 36,000 njerëz të moshës së mesme dhe të moshuar nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar, studiuesit zbuluan se 50-vjeçarët që pinin mesatarisht një gotë verë 175 mililitra (6 oz) ose gjysmë litër kanoçe birre në ditë gjatë vitit të kaluar kishte tru që dukej 1.5 vjet më i vjetër se ai i personave të tjerë që pinin gjysmën e kësaj sasie ose nuk pinin fare.
Plakja e trurit u rrit me konsumimin e alkoolit, shkruajnë studiuesit. Studimi është një nga më të mëdhenjtë që trajton ndikimin shëndetësor të pijes së moderuar në tru deri më sot. Studiuesit përkufizuan “pirjen e moderuar” si deri në 14 pije në javë dhe “të lehta” si më shumë se një pije në javë, por më pak se shtatë. Por shumë pyetje mbeten të hapura.

Por a nuk është vera e kuqe e mirë për ju?
Dëshmia se pirja e tepërt është e dëmshme për trupin dhe trurin është përfundimtare. Por kur bëhet fjalë për pirjen e moderuar, gjërat bëhen pak më të ndërlikuara. Një numër studimesh të publikuara gjatë dekadave të fundit, duke përfshirë një të paraqitur vetëm një ditë para studimit të trurit, duket se pretendojnë se pirja e moderuar e alkoolit mund të jetë e mirë për ju.
Duke analizuar të dhënat e marra gjithashtu përmes Biobank në Mbretërinë e Bashkuar nga rreth 312,000 konsumues aktualë, studiuesit zbuluan se konsumimi i alkoolit ekuivalent prej rreth 150ml verë me vakte në ditë për gratë dhe 300ml për burrat lidhej me një rrezik më të ulët të zhvillimit të diabetit të tipit 2.
Jeanette Tetrault, një profesoreshë e mjekësisë në Yale, e specializuar në varësinë ndaj alkoolit, tha se ishte e rëndësishme të lexohej përtej titujve.
Në fund të fundit, tha ajo, studimi thjesht ka gjetur se, nëse pini alkool me ushqim, keni më pak gjasa të zhvilloni diabetin e tipit 2 sesa nëse pini alkool pa ushqim.
Kritikët e studimeve të tilla thonë gjithashtu se ato shpesh nuk marrin parasysh faktorë të rëndësishëm socio-ekonomikë dhe se reklamimi i përfitimeve të verës së kuqe është në thelb i njëanshëm. Kjo për shkak se njerëzit me status më të lartë socio-ekonomik, të cilët shpesh janë tashmë më të shëndetshëm, në fillim, kanë më shumë gjasa të raportojnë se pinë një gotë verë të kuqe në ditë sesa ata që nuk janë.
Bëni kujdes
Një hetim i New York Times i vitit 2018 zbuloi se studiuesit e përfshirë në një studim 10-vjeçar në shkallë të gjerë që kërkonin të gjurmonin ndikimin e konsumit të moderuar të alkoolit në shëndet u lobuan shumë nga industria e alkoolit.
100 milionë dollarët e përdorura për financimin e studimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit (NIH) u kërkuan kryesisht nga aktorët kryesorë në industrinë e alkoolit, mes tyre Anheuser-Busch InBev. Autori kryesor i tij, një profesor i mjekësisë në Harvard, siguroi drejtuesit e alkoolit në email dhe telefonata konferencash se rezultatet do të ishin në favor të tyre.
Kur hetuesit e NIH vunë re praktika të dyshimta, studimi u ndërpre. Megjithëse asgjë nuk përfundoi duke u publikuar, situata të sjell në vëmendje për t’u kujdesur ndaj rezultateve që duken shumë të mira për të qenë të vërteta.








