Kur ditët shkurtohen: Pse vjeshta mund të sjellë më shumë ankth!

Me ardhjen e vjeshtës, disa njerëz mund të përjetojnë rritje të ankthit, ndryshime të humorit dhe lodhje.

Kjo lidhet me shkurtimin e ditëve, më pak ekspozim ndaj diellit, ndryshimet në rutinën e përditshme dhe stresin që mund të sjellë rikthimi në shkollë apo punë.

Ekspertët theksojnë se ajo që shpesh quhet ‘ankthi i vjeshtës’ nuk është një diagnozë e veçantë mjekësore.

Në disa raste, këto simptoma mund të lidhen me çrregullimin afektiv sezonal (SAD), një formë depresioni që shfaqet në periudha të caktuara të vitit.

Ndër simptomat më të zakonshme janë humori i ulët, shqetësimi i tepërt, irritimi, përgjumja, lodhja dhe mungesa e interesit për aktivitetet e përditshme.

Ulja e ekspozimit ndaj dritës së diellit mund të ndikojë edhe në serotoninën, melatoninën dhe nivelet e vitaminës D, të cilat lidhen me humorin dhe gjumin.

Një tjetër faktor mund të jetë ndryshimi i rutinës. Rikthimi në shkollë ose punë, zgjimi më herët dhe oraret e reja mund të krijojnë stres.

Për disa persona, megjithatë, rikthimi në një rutinë të rregullt mund të ketë efekt pozitiv dhe t’i ndihmojë të menaxhojnë më mirë shqetësimet.

Edhe përfundimi i verës mund të sjellë ndjenja pendese ose trishtimi, sidomos kur njerëzit mendojnë se nuk i kanë realizuar planet që kishin vendosur për muajt e verës.

Ndërkohë, afrimi i festave të fundvitit mund të jetë një tjetër burim stresi.

Për ta lehtësuar këtë gjendje, ekspertët rekomandojnë më shumë kohë në dritën e ditës, aktivitet fizik të rregullt dhe ruajtjen e një rutine të qëndrueshme.

Ecjet në natyrë, aktivitetet sportive dhe ekspozimi ndaj dritës në mëngjes mund të ndihmojnë në përmirësimin e humorit.

Gjithashtu, këshillohet që ndryshimi i stinës të shihet nga një këndvështrim më pozitiv, duke u fokusuar te aktivitetet që mund të shijohen gjatë vjeshtës.

Nëse ankthi, trishtimi apo lodhja bëhen të vazhdueshme dhe ndikojnë në jetën e përditshme, ekspertët rekomandojnë konsultimin me një profesionist të shëndetit mendor./Telegrafi.

LEXO EDHE:

Back to top button