
Gazetare: Ilirida Sulejmani
Fondi Shëndetësor paralajmëron kontrolle më të rrepta të pushimeve mjekësore, pas keqpërdorimeve të konstatuara. Numri një i Fondit, Zllatko Perinski, zbardhi ditë më parë se vetëm gjatë kontrolleve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, lidhur me pushimet mjekësore, janë konstatuar keqpërdorime në mbi 30% të rasteve. Qytetarët e anketuar nga Alsat i mbështesin këto masa dhe pranojnë se pushimet janë keqpërdorur prej kohësh.
“Me të vërtetë tepër janë të keqpërdorura pushimet mjekësore, në aspektet për të kryer punë private, mirëpo nuk është në rregull. Duhet të merren masa më të rrepta, kontrollet të jenë më të fuqishme dhe më tepër të kontrollohen person se ku të gjinden gjatë pushimit mjekësor.” – tha qytetari
Qytetare
“Po, duhet të ketë kontroll, sepse gjatë gjithë viteve të mia të punës i kam parë të gjitha për sa i përket pushimeve mjekësore, ndaj ky është një hap i mirë nga ana e Qeverisë për të shkurtuar periudhën e pushimit mjekësor nga 7 deri në 5 ditë.”
“Po nuk punohet nga ana e aparatit shtetëror drejtësi, atëherë nuk ke ku kërkon drejtësi. Keqpërdorim ka çdo kund. Nëse merr pushim mjekësor 15 ditë, ka ndoshta dikush i merr për interesa private, mirëpo ajo ndoshta është edhe ndikimi se janë pagat u ulëta. – Tha qytetari
Drejtori i Fondit ditë më parë njoftoi se kontrollet në të ardhmen do të bëhen me denoncim nga punëdhënësi, por edhe me përzgjedhje të rastësishme. Nëse kontrollori nuk e gjen personin që shfrytëzon pushim mjekësor në shtëpi, do t’i lihet një dokument me të cilin udhëzohet të paraqitet para komisionit mjekësor dhe të japë arsyetim. Për këtë rast do të njoftohet edhe punëdhënësi. Gjithashtu ndër ndryshimet që parashikohen është që mjekët amë të mund të lëshojnë pushim mjekësor deri në pesë ditë, në vend të shtatë ditëve sa ishte deri tani. Vetëm në gusht të këtij viti, janë paguar mbi 623 milionë denarë për pushime mjekësore. /Alsat.mk







