Qetësohet epidemia e Etheve të Nilit Perëndimor, bien ndjeshëm rastet e reja

Gazetare: Amila Rashiti

Është regjistruar rasti i parë me ethet e Nilit Perëndimor në Sveti Nikollë, ndërsa numri i të infektuarve në të gjithë vendin ka shkuar në 58. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski thotë numri i të prekurve ka filluar të shënojë rënie.

“Besoj se epidemia po qetësohet, pasi kemi pasur vetëm dy raste të reja gjatë dy javëve të fundit, konkretisht raporti i kësaj të hëne tregon dy raste të dyshuara megjithëse të pakonfirmuara. Aktualisht, ka gjashtë pacientë të shtruar në spital në Klinikën e Sëmundjeve Infektive. Duhet të theksoj se ky stabilizim nuk lidhet me lehtësimin e kufizimeve, duke pasur parasysh se të gjitha këto raste të reja përfshijnë individë që janë infektuar midis tre dhe 14 ditëve më parë.“ – Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.

Drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, theksoi se dy pacientë të shtruar në spital janë në gjendje të rëndë.

“ Në Klinikën për Sëmundje Infektive ka të shtruar 6 pacientë, më formë neuroinvazive të virusit të Nilit Perëndimor nga të cilët dy janë në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe gjenden në Repartin për Trajtim Intensiv, ndërsa 4 pacientë janë në Repartin për Neuro-Infeksione nga të cilët dy llogariten si raste të dyshimta.“ – Fadil Cana, Drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive.

Numrin e të infektuarve e dominojnë meshkujt, përkatësisht rreth 79% e të prekurve janë meshkuj ndërsa rreth 20% femra. Qyteti me më shumë pacientë të infektuar mbetet Shkupi, por ka nga një rast në Kumanovë, Veles dhe tashmë edhe në Sveti Nikollë. Numri total i viktimave nga Ethet e Nilit Perëndimor është 8. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button