Koçani – “Pronari i diskotekës së shpejti lirohet nga paraburgimi” / Nuk është formuar as Komisioni anketues
Gazetare: Fatlume Dervishi
E Majta ngre alarmin për procedurën gjyqësore për tragjedinë në Koçan. Sipas tyre, përgjegjësia zinxhir do të shndërrohet në një proces të pafund kurse pronari i diskotekës “Puls” Dejan Jovanov – Dako më 3 tetor do të lirohet nga paraburgimi për shkak të përfundimit të masës. Sipas tyre, deri sa i akuzuari është në paraburgim institucionet detyrohen që çështjen ta trajtojnë me urgjencë kurse e kundërta u bë me bashkimin e procedurës për të gjithë të akuzuarit.
“Kur të gjithë e dinin se i pandehuri i parë ishte në paraburgim dhe afati ishte i llogaritshëm paraprakisht, dhe ishte e qartë se po krijohej një proces me dhjetëra të pandehur dhe një sasi të madhe provash – a u shteruan të gjitha mundësitë procedurale në kohë për të parandaluar që kjo çështje të shndërrohej në një mastodon gjyqësor në të cilin afatet do të ishin më të shpejta se vendimet?”, thonë në komunikatë nga E Majta.
Partitë politike janë larg edhe diskutimit për përgjegjësinë politike rreth tragjedisë. Komisioni anketues në Kuvend në të cilin duhet të diskutohet edhe për Koçanin nuk është formuar akoma. Opozita thotë se akoma s’ka marrë shkresë nga kreu i Kuvendit për të emëruar anëtarët e komisionit.
“Ne jemi të gatshëm të debatojmë për tragjedinë më të tmerrshme të historisë tonë ku vdiqën 63 fëmijë. Është interesante të shohim sesi pushteti do të veprojë. Unë nga njerëz që u ulën para prindërve të fëmijëve në sallën e kuvendit, jo në komisionin anketues, dhe para syve u nënqeshën në fytyrë, unë nuk pres asgjë tjetër” deklaroi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së
Aktkauza për Koçanin përfshin 35 individë dhe tre persona juridikë, në një proces gjyqësor që pritet të zgjasë disa vite.
Në Kuvend deri tani, anëtarë për Komisionin anketues ka nominuar vetëm E Majta. Të gjitha partitë e tjera deklarohen pro debatit për tragjedinë por asnjëra nuk kontribuon pjesën e saj drejt kompletimit të këtij komisioni. /Alsat.mk








