Sa ish funksionarë do të fitojnë apanazh?


Skadon së shpejti afati që kanë ish deputetët për të parashtruar kërkesa që të fitojnë të drejtën e rrogës së rregullt mujore edhe pas përfundimit të mandatit. Deri tani nga Kuvendi nuk ka përgjigje se sa deputetë kanë parashtruar kërkesë dhe sa prej tyre i plotësojnë kushtet që të vazhdojnë të paguhen nga buxheti i Kuvendit. Ndërkohë, ish ministrat nga përbërja e kaluar e kabinetit qeveritar, kanë edhe disa javë në dispozicion për të dorëzuar kërkesat për apanazh. Kryeministri Zoran Zaev nuk sqaroi planet e pushtetit për të shfuqizuar ose jo këtë përfitim që gëzojnë funksionarët por tha se do t’u krijojë mundësi ish funksionarëve të inkuadrohet në institucionet shtetërore për të kontribuar me përvojën e tyre.

Sigurisht, parlamenti mendon për këtë gjë. Ne politikanët, kryetarët e partive politike dhe në rastin konkret edhe unë si kryeministër do ta them mendimin tim por një gjë e di, një pjesë e madhe e përbërjes së kaluar të Kuvendit do të ketë ofertë personalisht nga unë si kryeministër që të inkuadrohet në institucionet publike. Muajt e ardhshëm janë për vendime të këtilla dhe besoj se 50-60% e apanazhëve menjëherë do të bien sepse vijojnë angazhime për këto persona – u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.

Ligji për rrogat e deputetëve dhe personave të tjerë të zgjedhur dhe emëruar parashikon që:

“Deputeti … funksionari dhe nëpunësi udhëheqës të cilin e emëron Kuvendi, Presidenti ose Qeveria… mundet të marrë rrogë pas përfundimit të funksionit në kohëzgjatje prej një viti, edhe atë:

– Tre muaj, nëse funksionin e ka ushtruar deri më gjashtë muaj,
– Gjashtë muaj, nëse funksionin e ka ushtruar gjashtë muaj dhe një ditë deri më 12 muaj,
– Nëntë muaj, nëse funksionin e ka ushtruar 12 muaj dhe një ditë deri më 24 muaj dhe
– 12 muaj, nëse funksionin e ka ushtruar 24 muaj dhe më shumë.”

Kërkesa dorëzohet 30 ditë pas përfundimit të mandatit kurse të drejtën për apanazh e konfirmon trupi kompetent në Kuvend. Këtë privilegj e gëzojnë dhe deputetët dhe funksionarët që japin dorëheqje nga posti, nëse i plotësojnë kushtet tjera. Të drejtën për apanazh ish deputeti ose ish funksionari e humb nëse plotëson kushtet për pension, nëse e kërkon vetë, nëse punësohet ose emërohet në funksion tjetër. Pagesa e apanazhit bëhet nga buxheti i institucionit ku ka marrë rrogën.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button