Salim Selmani jep dorëheqje, Taravari mbetet pa një deputet

Salim Selmani jep dorëheqje, Taravari mbetet pa një deputet

Gazetare: Ajnur Bafqari

“Afrimi me BDI-në në prag të zgjedhjeve lokale ka sjellë një devijim të rëndë nga parimet për të cilat ishim angazhuar. Ky bashkëpunim politik është një shkelje e premtimeve tona dhe e përfaqësimit që qytetarët shqiptarë meritojnë. Ky veprim për mua është i papranueshëm, pasi nuk mund të jem pjesë e një aleance që bëhet për arsye të interesave të ngushta politike e me njerëz të përmendur në lista të zeza ndërkombëtare për përfshirje në afera të rënda”, tha Salim Sulejmani, deputet.

Dorëheqja e tij nga ky pozicion, i lëshon vendin deputetit të radhës në listën e kandidatëve për deputetë që në këtë rast është Valbona Adili Emini, që vjen nga radhët e partisë së Kasamit, pjesë e koalicionit VLEN. Në këtë rast, partia e Taravarit rrezikon që të mos mund të formojë grup parlamentar, pasi mbeten vetëm 4 deputetë nga 5 sa duhet të ketë minimum për formim të grupit parlamentar.
Dorëheqjen e Sulejmanit  e përshëndeti Zeqirija Ibrahimi nga radhët e VLEN-it. Ai përmes një postimi tha se Sulejmani e ka dëshmuar dinjitetin e tij, edhe përkundër shtytjeve të interesave materiale.

“Gjithkujt i ndodh së paku një herë në jetë ta dëshmojë dinjitetin e tij dhe, përkundër shtytjeve të interesave materiale, të veprojë në emër të një kauze të drejtë e të moralshme. Sot këtë e bëri deputeti Salim Sulejmani.
Shoqëria jonë ende ka njerëz të virtytshëm. Prandaj ia VLEN!”, deklaroi
Zeqirija Ibrahimi, VLEN.

Kujtojmë se një ditë më parë, nga partia e Taravarit u largua edhe Azir Aliu, i cili njoftoi se do të vazhdojë rrugëtimin e tij me koalicionin VLEN, në Qeveri. Ai mes tjerash nënvizoi se ndjekja e rrugës së Taravarit dhe tërheqja në këtë moment, do të nënkuptonte vetëm dhënie të hapësirës ndaj, siç i quajti ai, strukturave të vjetra të BDI-së për rehabilitim. Postimi i tij erdhi pothuajse njëkohësisht me atë të zv, kryeministrit Arben Fetai, i cili publikoi fotografi nga takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku prezent ishte edhe Azir Aliu. Arben Fetai, është emri që së fundmi u lakua si një prej funksionarëve të lartë që mund të mbeten pjesë e ndryshimit. Ai personalisht nuk e ka konfirmuar këtë. Kujtojmë se Fetai, nuk e kishte shoqëruar kreun e partisë, as në aktivitetet e fundit partiake, përfshirë edhe atë në Kumanovë, në vendlindjen e Fetait. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button