Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, marrëveshje për roaming më të lirë

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, marrëveshje për roaming më të lirë

Gazetar: Lluka Andreev

Me këngë e valle kombëtare, si dhe me opereta dhe valle moderne, kryeministri shqiptar Edi Rama priti në Tiranë krerët e vendeve anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Për herë të parë në një vend të rajonit mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor.

“Mendoj se ky është një mesazh shumë i rëndësishëm për ndërgjegjësimin e Bashkimit Evropian se ai ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Evropian. Kjo vërtetë është shumë e rëndësishme”, deklaroi Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë.

Në Samit, Brukseli përsëriti mbështetjen e qartë për perspektivën europiane të rajonit. Në fokus ishin temat e migrimit të paligjshëm, sigurisë në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe rezistencës së shoqërive nga ndikimi i Rusisë dhe Kinës. Krerët e BE-së ritheksuan se e ardhmja e rajonit është në BE dhe paralajmëruan gjithashtu ndihmë të konsiderueshme financiare për pavarësinë energjetike.

“Ne për këtu kemi përgatitur paketë prej 500 milionë euro, që është një pasqyrim i asaj që BE-ja po bën në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe secili prej vendeve mund ta përdorë atë për të ndihmuar familjet dhe bizneset në këto kohë të vështira, ndërsa kemi edhe 500 milionë euro të tjera për pavarësinë energjetike, për ndërtimin e interkonektorëve dhe fotovoltaikëve”, tha Ursula von der Leyen – Presidente e Komisionit Evropian.

“Unë jam absolutisht i bindur se e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe ne po punojmë shumë për të bërë përparim. Sot, për shembull, ne po nënshkruajmë një marrëveshje për roamingun”, u shpreh Sharl Mishel – President i Këshillit Evropian.

Me marrëveshjen pritet ulje e çmimeve të roamingut me vendet e BE-së nga 1 tetori i vitit të ardhshëm. Gjatë nënshkrimin ishte i pranishëm edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski. Nga Qeveria njoftuan se BE-ja do të ofrojë mbështetje për të gjitha sfidat që lidhen me krizën energjetike në vendet e Ballkanit Perëndimor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button