Dialogu Kosovë-Serbi mori një pjesë të vëmendjes në Samitin BE-Ballkanin Perëndimor

Dialogu Kosovë-Serbi mori një pjesë të vëmendjes në Samitin BE-Ballkanin Perëndimor

Gazetare: Fatlume Dervishi

Dukshëm i shqetësuar dhe pa entuziazëm, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq gjithsesi paraqit në Samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor në Tiranë. Vuçiq tha se Serbia do të sqarojë pozitën e saj para liderëve. Ai ditë më parë kishte thënë se mund të mos vinte në Tiranë në shenjë “kundërshtimi” ndaj emërimit të Nenad Rashiqit në krye të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim gjatë javës së shkuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Pas konsultimeve që patëm brenda shtetit ne vendosëm që të vijmë dhe t’i diskutojmë të gjitha çështjet. Ne e kemi një mundësi këtu të paktën të themi se çfarë mendojmë për atë. Mbetemi të angazhuar në procesin e dialogut dhe në procesin e negociatave me BE-në por në të njëjtën kohë duhet të mbrojmë interesin nacional dhe shtetëror në përputhje me Kushtetutën tonë”, tha Aleksandar Vuçiq, President I Serbisë.

Para fillimit të takimit, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se Samiti në Tiranë nuk është vendi për dialog mes Prishtinës dhe Beogradit por deklaroi se janë pro vazhdimit të tij.

“Për fat të keq, Vuçiq është vazhdimësi e mentalitetit që ka ekzistuar në Serbi në vitet ’90-a dhe pikërisht ai mentalitet shkaktoi luftën, shkatërrimin dhe vrasjen e 150 mijë civilëve. Ky mentalitet duhet të refuzohet nga të gjithë. Ajo që Kosova tregon këto ditë është e kundërta e Vuçiqit duke shtrirë dorën e bashkëpunimit edhe përskaj faktit se ata kurrë nuk kanë kërkuar falje për krimet që i kanë bërë. Ne besojmë se dialogu që drejtohet nga BE-ja dhe plotësisht mbështetet nga SHBA-ja është rruga e vetme që duhet të ndjekim për një marrëveshje finale e cila bazohen te njohja reciproke”, u shpreh Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Nikoqiri i takimit, kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se dialogu nuk do të jetë i lehtë.

“Do të doja. Do të doja që BE-ja të ketë këtë magji por nuk do të ndodhë. Është e vështirë dhe do të marrë kohë por më lejoni të them se Ballkani Perëndimor nuk ka qenë më mirë në historinë e tij dhe posaçërisht shqiptarët, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe gjetiu, nuk ka qenë kurrë më mirë në historinë e tyre”, deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Ky është moment historik për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, porositi BE-ja në Tiranë. Shefi i diplomacisë së unionit Xhozef Borell njoftoi se palët kanë në dorë një propozim për të cilin duhet të diskutojnë.

“Ky është nj moment i rëndësishëm pasi marrëveshja për targat ka përfunduar. Tashmë duhet të angazhohen, të angazhohen mirëfilli në dialog mbi propozimin që është hedhur në tryezë me mbështetjen e fortë të Gjermanisë dhe Francës. Teksti i fundit u është dërguar dje Beogradit dhe Kosovës dhe tashmë janë ata që duhet të nisin diskutime, diskutime serioze, sepse është një moment me një mundësi të madhe”, theksoi Xhozef Borell, përfaqësues i lartë për politikë të jashtme të BE-së.

E paralelisht me zhvillimet në Tiranë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti takoi në Prishtinë përfaqësuesin e BE-së për dialog Mirosllav Lajçak. Ky i fundit tha se pret që dialogu të vazhdojë brenda javësh.

“Procesi i normalizimit do të fillojë brenda javësh, dhe më pas është në duart e të dyja palëve, ne nuk duam ta vonojmë apo ta zvarrisim këtë proces. Ky moment është i duhur dhe tani ky moment është këtu, por nuk do të jetë këtu përgjithmonë. Nuk jam i mirë me afatet, por do të thosha se deri në mars do të shohim se ku qëndrojmë, sa po përparojmë dhe ku po shkon ky proces”, theksoi Mirosllav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Nga Qeveria e Kurtit kanë njoftuar Lajçak se janë në përfundim të përgatitjes së dokumenteve për aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button