Samiti i demokracisë: Biden fton mbi 100 shtete, mungon Kosova
Në datat 9 dhe 10 dhjetor, Presidenti amerikan Joe Biden do të organizojë për herë të parë një samit virtual për liderët e qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat. Samiti do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë për demokracinë, dhe qëllimi është sigurimi i platformave të qeverive të ndryshme, dhe ky shihet si momenti më i mirë që liderët të angazhohen për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, në vendet e tyre por edhe në nivel ndërkombëtar.
Përpara samitit, që mban titullin “Samiti për demokracinë”, kanë nisur konsultimet me ekspertë për qeveritë, organizatat e ndryshme, shoqërinë civile dhe sektorin privat, duke i orientuar ata drejt 3 pikave kyçe.
Mbrojtja kundër autoritarizmit, adresimi dhe lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Ky samit konsiderohet nga ekspertët si një test për politikën e jashtme të presidentit Biden, sipas të cilit SHBA duhet të fokusohen tek kërcënimet nga regjimet autoritare si Kina dhe Rusia.
Ftesa tashmë është zyrtarizuar për rreth 100 vende të botës por ajo që bie në sy është mungesa e shumë të tjerave, mes tyre Kosova, atje ku reagimet kanë qenë të shumta.








