Schallenberg emërohet kancelar i Austrisë pas dorëheqjes së Kurz

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg do të jetë kancelar i ri i vendit. Emërimi i tij vjen pas dorëheqjes së Sebastian Kurz i akuzuar për korrupsion. Schallenberg është një diplomat karriere por një fillestar në jetën politike.

“Kjo është një detyrë jashtëzakonisht sfiduese, dhe nuk është një kohë e lehtë, për asnjërin prej nesh. Por unë mendoj se ne po tregojmë një shkallë të pabesueshme të përgjegjësisë ndaj këtij vendi”, u shpreh Alexander Schallenberg.

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen gjatë një fjalimi të dielën në mbrëmje u shpreh se puna e qeverisë duhet të vijojë.

“Kjo krizë qeveritare ka përfunduar . Të hënën në mesditë do të betohet Kancelarin i ri dhe një Ministër i ri i Jashtëm . Dhe puna për vendin tonë mund të vazhdojë. Falënderoj Sebastian Kurz. Me dorëheqjen e tij ai e mbajti dëmin larg zyrës dhe dha një kontribut të rëndësishëm në integritetin e institucioneve tona”, deklaroi presidenti.

Kurz iu nënshtrua presionit, duke dhënë dorëheqjen pasi prokurorët filluan hetimin ndaj tij dhe anëtarëve të ngushtë të dyshuar për korrupsion.

Skandali ka minuar besimin e votuesve. “Situata ishte shumë e trazuar, ne vetëm mund të shpresojmë që gjërat të përmirësohen”, u shpreh një qytetar.

 

LEXO EDHE:

Back to top button