Seanca kryesore nga rigjykimi për spitalin modular në Tetovë do të vazhdojë në muajin prill

Seanca kryesore nga rigjykimi për spitalin modular në Tetovë do të vazhdojë në muajin prill

Të akuzuarit për spitalin modular në Tetovë deklaruan se nuk ndihen fajtorë në rigjykimin që filloi sot në Gjykatën Themelore të Tetovës. Pas rreth pesë orësh nga shqyrtimi kryesor, gjatë së cilës u prezantuan edhe video-përgjimet në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës nga data 8 shtator 2021, kur shpërtheu zjarri, Gjykata urdhëroi që seanca të vazhdojë më 3 prill në ora 10:00.

Në seancën e sotme përfaqësuesi i prokurorisë lexoi titujt nga provat, ndërsa për disa prej tyre mbrojtja ngriti kundërshtime.

Më pas, për gati tre orë, Prokuroria luajti video materialet e mbledhura gjatë fazës së hetimit. Janë transmetuar pamjet video nga vëzhgimi në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës nga 8 shtatori 2021 kur ka shpërthyer zjarri, si dhe video materiale të incizuara nga një ekip televiziv i dedikuar për reportazh gazetaresk nga 1 shtatori 2021.

“Për shkak të përfundimit të orarit të punës së gjykatës, seanca shtyhet për datën 03.04.2025 në ora 10:00”, tha gjyqtari Redzep Musa.

Të pandehurit, drejtorët e atëhershëm Florin Besimi dhe Artan Etemi, u deklaruan të pafajshëm për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë publike”. Gjithashtu përfaqësuesi i personit juridik ISHP Spitali Klinik për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” theksoi se nuk ndihen përgjegjës.

Ky rigjykim erdhi pasi Gjykata e Apelit në Gostivar mori vendim në prill të vitit 2024. Procesi duhej të fillonte më 26 qershor 2024, por u shty për në 25 shtator 2024, më pas në 5 nëntor 2024 dhe në 15 janar 2025.

Më 5 qershor 2023, Gjykata Themelore e Tetovës ka shqiptuar dënim me kusht për drejtorët e akuzuar Florin Besimi dhe Artan Etemi për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa personi juridik ISHP Spitali klinik është shpallur fajtor për veprën penale “shkaktim i rrezikut publik” . Gjykata më pas vendosi të lirojë Dr. Boban Vuçevskin dhe Spitalin Klinik për veprën penale “mosrespektim i rregullave shëndetësore”.

Sipas aktgjykimit, të pandehurit Florin Besimi dhe Artan Etemi janë dënuar me burg nga një vit e gjashtë muaj, me kusht dhe dënimi i caktuar me burgim nuk do të zbatohet nëse të pandehurit nuk kryejnë vepër të re brenda tre viteve. Një person juridik është dashur të paguaj gjobë në shumë prej një milion denarë, 30 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Për zjarrin në spitalin modular të Tetovës që ndodhi më 8 shtator 2021, në të cilin humbën jetën 14 persona, më 27 korrik 2022, Prokuroria pas dhjetë muaj hetime ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore të Tetovës.

Gjyqi i parë filloi më 7 dhjetor 2022, pas katër shtyrjeve.

 

LEXO EDHE:

Back to top button