Skuadra e FC Shkupit, të enjtën (8 korrik) përballet me Llapin në kuadër të xhiros së parë eliminatore në Ligën e Konferencës. Para kësaj sfide, për media nga tabori i FC Shkupit kanë folur trajneri Goce Sedlloski dhe kapiteni Kristijan Naumovski.
“Gjatë këtij muaji, sa edhe kemi punuar kemi sjellë disa përforcime dhe mendojmë se jemi të gatshëm për këtë duel. Përforcimet janë përshtatur mirë në ekip, ndërsa më të vjetërit kanë luajtur mirë që thuhet rolin e nikoqirit. Nuk e nënvlersojmë kundërshtarin, përkundrazi do të futemi në lojë ta japim maksimumin dhe të sigurojmë rezultat të favorshëm për ndeshjen e kthimit. Sigurisht që publiku do të jetë i mirëpritur. Futbolli luhet për ta dhe mendoj se do të jetë motiv shtesë për ne, për ndeshjen e nesërme”, deklaroi Sedlloski.
Ndërkohë kapiteni Kristian Naumovski, beson se Fc Shkupi është favorit, por që nuk e nënvlerëson ekipin kundërshtarë.
“Llapi është kundërshtar i papërshtatshëm, por të jem i sinqertë nuk mund të them se sa janë kualitativ. Po, jemi favorit në letër por kjo duhet të tregohet në fushë. Nëse do të luanim kundër ekipeve kosovare para katër apo pesë viteve do të thoja se do ti kalonim me siguri, por kështu do të duhet të mundohemi shumë për shkak se ata po investojnë në futboll. Do ti plotësojmë detyrat e marra nga trajneri duke u munduar të mos bëjmë gabime dhe të shkojmë në ndeshjen e kthimit me rezultat pozitiv”, thotë kapiteni, Naumoski.
Ndeshja FC Shkupi – KF Llapi luhet të enjten në stadiumin “Todor Proeski” me fillim në ora 20:00.








