Sektori civil me kritika ndaj Ligjit për Buxhetin, kërkohet transparencë më e madhe

Propozim ligji për buxhet, i cili gjendet në platformën elektronike ENER, është i keq prandaj nevojiten ndryshime të mëdha, thonë OJQ-të. Ata kërkojnë që Ligji të parashikojë rritjen e transparencës gjatë shpenzimit të parave publike dhe të gjendet një mekanizëm për planifikimin afatmesëm të buxhetit nga shteti. Konsiderojnë se rregullat fiskale në ligjin e propozuar janë shumë të përgjithshme, prandaj i sugjerojnë pushtetit t’i ndjekë praktikat evropiane.

Lidhja e strategjisë fiskale dhe planifikimit afatmesëm buxhetor me proceset dhe shmangia e ndryshimeve “ad-hok” që janë vetëm rregullim i situatave të caktuara, është mangësi që duhet të tejkalohet duke miratuar këtë ligj – deklaroi Viktor Mitevski- kryetar i Shoqatës për hulumtime dhe analiza, ZMAI.

Është mirë që Qeveria u ka mundësuar qytetarëve të ndjekin shpenzimin e parave publike, konsiderojnë OJQ-të. Por, thonë se nevojitet transparencë më e madhe. Të ketë kontroll edhe gjatë planifikimit të harxhimeve, jo vetëm pasi të jenë shpenzuar paratë. Sektori civil gjithashtu kërkon që qytetarët të përfshihen në planifikimin e anës së të ardhurave dhe shpenzimeve.

Për ne si organizata të shoqërisë civile, transparenca në planifikimin dhe shpenzimin e parave publike është shumë e rëndësishme sepse do të thotë që ministritë, komunat janë të interesuara dhe do të angazhohen për përfshirjen e qytetarëve dhe nevojave të tyre në fazën e planifikimit të buxhetit dhe në fazën e shpenzimit – tha Fani Karanfilova Panovska- Drejtore ekzekutive e fondacionit “Shoqëri e Hapur” Maqedoni.

Qeveria thotë se ka punuar për tekst të ri të Ligjit të buxhetit për një kohë të gjatë. Plani ka qenë që ligji të merret në fillim të këtij viti, por pandemia e ndaloi procesin e hartimit të tekstit.

Ligji propozon në mënyrë të përshtatshme rregullat fiskale si dhe krijimin e një këshilli fiskal që duhet të sigurojë analiza dhe mendime të pavarura dhe profesionale mbi supozimet makroekonomike dhe fiskale – deklaroi Dimitar Kovaçovski- Zëvendës ministër i financave.

Ligji aktual i buxhetit u miratua në vitin 2005 kurse teksti ka pësuar disa ndryshime deri më tani. Janë të rregulluara procedurat për përgatitjen, miratimin dhe realizimin e buxheteve të shtetit dhe komunave si dhe Qytetit të Shkupit. Raportimi mbi realizimin e buxhetit sipas autoriteteve, nuk është në përputhje me standardet evropiane.

Ile Petrevski

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button