Sela dorëzon iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për “Safe City”
Sela dorëzon iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për "Safe City"
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Aleanca për Shqiptarët dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese iniciativë për kushtetutshmërinë e ligjit për kundërvajtje. Ziadin Sela tha se ky ligj dhe sistemi “Safe City” në tërësi është në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk i trajton të gjithë qytetarët e shtetit në mënyrë të barabartë. Ai ka vërejtje gjithashtu edhe për sinjalistikën rrugore veçanërisht në vendbanimet shqiptare.
“Përpara Kushtetutës qytetarët duhet të jenë të barabartë dhe si të tillë të gjithë qytetarët pa marrë parasysh nëse jetojnë në Shkup, Tetovë ose Kumanovë duhet të jenë të barabartë edhe në drejtim të përfshirjes në këtë lloj projekte edhe në Strumicë, edhe në Strugë, Ohër, Kërçovë, Kavadar, Shtip dhe gjithandej”, tha Ziadin Sela – Kryetar i ASH-së.
Sela thotë se qytetarët nuk janë të detyruar të posedojnë celular, pra numër telefoni apo email adresë dhe se kjo mënyrë e njoftimit për shkelje, ua pamundëson qytetarëve të mund të ankohen në Gjykatë.
“Kjo temë është shumë serioze, tepër serioze për ta lënë në dorë të një njeriu jo serioz që ndryshon qëndrimet pesë herë në ditë dhe pak rëndësi ka paralajmërimi. Me rëndësi është a do ta bëjë një gjë të tillë. Ne jemi skeptik dhe prandaj kemi bërë iniciativën”, deklaroi Ziadin Sela – Kryetar i ASH-së.
Sela tha se partia distancohet nga veprimet e ish kolegut të tyre të partisë në Kuvend, deputetit Ilir Demiri i cili të premten ishte një nga deputetët kyç që mundësuan miratimin e këtij ligji. Ndonëse Demiri kur vendosi të veprojë si i pavarur para kolegëve pati theksuar se do të veprojë në frymën e ASH-së, të premten vota e tij nuk ishte në një vijë me ato të ASH-së. Në një sqarim në profilin e tij në Facebook, Demiri theksoi se për të votuar “PËR” miratimit të ligjit, nuk ka pas asnjë presion politik ndaj tij dhe se vota e tij ka qenë sipas bindjes personale. /Alsat.mk








